BQK-ja parashikon rënie ekonomike në Kosovë prej 7.2 për qind në vitin 2020
Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka votuar raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2019.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se borxhi publik në vitin 2019 ka qenë 19.7 për qind. Mehmeti po ashtu ka deklaruar se rritja ekonomike për vitin 2019 ka qenë 4.94 për qind.
Sipas tij, kreditë joperformuese shënuan nivelin më të ulet dhe ishin në nivelin 2 për qind. “Tensionit ndërkombëtare kishin ndikim negativ edhe tek ne. Ngadalësimi i rritjes rezultoi varësisht nga ndikimi i eksporteve. Rritja ekonomike për vitin 2019 ka qenë 4.94 për qind. Sipas ASK-së kjo rritje është mbështetur nga sektori financiar tregtia dhe sektori i sigurimeve. Lëvizja e çmimeve vazhdon të përcaktohet nga lëvizja e jashtme si pasojë e varësisë së importeve. Kreditë joperformuese shënuan nivelin më të ulet ndonjëherë dhe ishin në nivelin 2 për qind. Sektori pensional-kthimi i investimeve 8 për qind, duke e rikuperuar edhe kthim negativ që ishte në vitin paraprak, 2018”, ka deklaruar Mehmeti.
Sipas tij, BQK-ja ka vazhduar me avancimin e kapaciteteve profesionale me standardet ndërkombëtare.
Ai ka folur edhe për punësimet, pozitat e shpallura brenda BQK-së.
Mehmeti ka thënë se nuk ka pozita të jashtëligjshme në BQK. “Sa i përket pozitave të jashtëligjshme, asnjë pozitë e jashtëligjshme nuk është në BQK. Sipas strukturës janë aprovuar pozitat”, u shpreh ai.
Ndërkaq sa i përket Monegos dhe LuteCredit, ai ka thënë se BQK-ja ka zbatuar dispozitat ligjore me rastin e mbylljes së tyre. “Para licencimit të Monegos dhe IuteCredit janë marrë rekomandime nga institucionet. Po ashtu, janë paralajmëruar se nuk janë respektuar urdhrat”, u shpreh ai.
Po ashtu, Mehmeti ka thënë se BQK-ja nuk ka mandat apo të drejtë të ekzaminojë në banka pasi nuk mund të ndërhyjë në një kontratë të kredisë pasi ajo është nënshkruar nga klienti. “Sa i përket Monges dhe Iutecreditit, para se t’i japim licencën ne kemi marrë rekomandime nga të gjitha institucionet, si AKI etj. Pasi kanë marrë licencën ata nuk iu kanë përmbajtur kritereve duke dhënë kredi me 26 për qind. Ne i kemi paralajmëruar edhe para heqjes së licencës dhe ata nuk i kanë respektuar urdhrat tanë. Për një vit rresht ne i kemi përcjell këto institucione. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për t’u mbrojtur në arbitrazh”, u shpreh ai.
Kurse, zëvendësguvernatori Sokol Havoll ka thënë se rënia ekonomike për këtë vit pritet të jetë 7.2 për qind. “Ne gjatë javës së kaluar kemi bërë rishikimet dhe rënia parashikohet të jetë -7.2 për qind projeksion për rënien ekonomike për vitin 2020, e cila mund të pësojë ndryshime gjatë muajve në vazhdim”, ka deklaruar Havolli.