BQK-ja: Sektori i sigurimeve po vazhdon të përballet me probleme

05 prill 2022 | 16:04

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se sektori i sigurimeve në Kosovë, që nga fillimi i aktivitetit të tij, është ballafaquar me probleme, performancë jo të kënaqshme, si dhe mospajtueshmëri me kërkesat rregullatore të parapara me legjislacionin në fuqi të disa sigurues.

Sipas BQK-së, kjo gjendje e tillë është ndikuar edhe nga disa faktorë: si aplikimi i tatimit në bruto primin e shkruar apo tatimin në qarkullim prej 5 për qind, detyrimin e sektorit të sigurimeve për kontribut ndaj Kryqit të Kuq me 1 për qind të bruto primeve, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Derisa çështja e tatimit në qarkullim dhe kontributit për Kryqin e Kuq janë adresuar, automjetet e pasiguruara vazhdojnë të mbesin shqetësim për sektorin e sigurimeve. Duke marrë parasysh ngecjen e këtij sektori, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim që sektori i sigurimeve të sigurojë pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi. Për këtë qëllim, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka marrë me dhjetëra masa administrative kundrejt siguruesve, përfshirë edhe revokimin e dy licencave. Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra, gjatë tri viteve të fundit aksionarët e disa prej siguruesve kanë injektuar kapital në vlerë mbi 16 milionë euro”, është thënë në njoftimin e BQK-së.

Më tej në njoftim është thënë se si rrjedhojë, më 31 mars 2022, të gjithë siguruesit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve në vend, janë në përputhje me kërkesat ligjore të BQK-së.

“Duke marrë parasysh faktin që sektori i sigurimeve në Kosovë është tërësisht i kapitalizuar dhe në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, BQK-ja në bashkëpunim me Bankën Botërore janë duke ndërmarrë veprimet përfundimtare për të liberalizuar tregun e produktit të autopërgjegjësisë. Që nga data 4 prill 2022, në BQK janë duke qëndruar ekspertët e Bankës Botërore me të cilët do të dizajnohet modeli i ri i primit të bazuar në rrezik dhe udhërrëfyesi për solvencën 2”, është thënë në njoftimin e BQK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndryshuar perceptimi i Perendimit ndaj politikanëve në Beograd dhe…