BQK-ja shënon 25-vjetorin e themelimit
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka shënuar 25-vjetorin e themelimit me një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Ndërtimi i urave përtej kufijve, ndërtimi i ardhmërive: Integrimi në SEPA për gjithëpërfshirje financiare – fuqizimi i rritjes dhe reziliencës”.
Në këtë ngjarje ndërkombëtare kanë marrë pjesë udhëheqës të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të Grupit të Bankës Botërore (BB), zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe ndërkombëtarë, guvernatorë të bankave qendrore të rajonit e të vendeve evropiane dhe drejtues të institucioneve të tjera financiare.
Pjesëmarrësve me një fjalë mirëseardhje i është drejtuar nikoqiri i kësaj Konference, Ahmet Ismaili – Guvernator i BQK-së.
Të pranishmëve me një fjalim hyrës i është drejtuar edhe Vjosa Osmani Sadriu, presidente e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, këtë konferencë ndërkombëtare të organizuar me rastin e 25-vjetorit të BQK-së përmes një video-mesazhi e ka uruar Kristalina Georgieva – Drejtoreshë Menaxhuese e FMN-së.
Derisa, fjalimin kryesor e ka mbajtur, Robert Holzmann, guvernator i Bankës Kombëtare të Austrisë.
Gjatë kësaj konference janë paraparë të mbahen tri sesione shkencore, me pjesëmarrje të guvernatorit dhe zëvendësguvernatorit të BQK-së, guvernatorëve të rajonit dhe vendeve të BE-së si dhe drejtuesve të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare: integrimi në SEPA, transformimi digjital dhe implikimet për shërbimet financiare, përmirësimi i stabilitetit financiar në peizazhin në ndryshim; dhe ndërmjetësimi financiar brenda sektorit bankar në rajon.
Gjithashtu është prezantuar studimi “Pagesat dhe transaksionet pa para të gatshme: Si veprojnë qytetarët në Ballkanin Perëndimor” nga Julia E. Wörtz, nga Banka e Qendrore e Austrisë.
Punimet e kësaj konference janë përmbyllur nga Bashkim Nurboja, kryetar i Bordit të BQK-së.