![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/bqk.jpeg)
BQK-ja shton dy shërbime financiare në platformën shtetërore eKosova
Banka Qendrore e Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për të mbështetur lehtësimin e qasjen në financa përmes digjitalizimit të shërbimeve financiare, në pajtim me Planin Strategjik dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) ka vendosur të shtojë në platformën shtetërore eKosova dy shërbime të saj: Regjistrin e Llogarive (RLLB) si dhe Regjistrin e Kredive të Kosovës (RKK). Kjo është e bërë e mundur përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve si dhe zhvillimeve të nevojshme teknike.
Me këto zhvillime, përmes platformës shtetërore eKosova, qytetarët pa kosto do të kenë mundësi të verifikojnë llogaritë e tyre në institucionet financiare të cilat raportojnë në Regjistrin e Llogarive, duke përfshirë statusin e llogarisë, si dhe mund të përdorin atë për qëllime të nevojave personale në zbatim të kërkesave tjera administrative.
Gjithashtu, do të kenë mundësi të nxjerrin Raportin Kreditor individual direkt nga platforma shtetërore eKosova, pa pasur nevojë ta kërkojnë në mënyrë fizike nga BQK-ja. Profili i përdoruesit në platformën eKosova duhet të jetë në nivelin e avancuar të sigurisë (faktor i autentifikimit të dyfishtë), për të siguruar mbrojtjen e duhur të të dhënave si dhe qasjen e autorizuar vetëm nga pronari i llogarisë.