BQK-ja ul për 35 për qind çmimin e policave kufitare për bashkatdhetarët
Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.
Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 16 korrik 2020 të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe raportit aktuarial të BQK-së mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.
Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 për qind .
Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 gusht 2020 deri më 31 dhjetor 2020.
(A.M / Epoka e re)