
BQK-ja shënon Javën Ndërkombëtare të Parasë
Pavarësisht prej situatës së krijuar nga pandemia, Banka Qendrore e Republikës e Kosovës (BQK) ka nisur organizimet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Me gjithë sfidat e vazhdueshme që solli Covid-19, BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe duke pasur parasysh se sektori financiar është një ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës, edukimit financiar po vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë.
Përmes punës dhe angazhimit për avancimin e edukimit financiar, qytetarët kanë arritur t’i përmirësojnë njohuritë e tyre rreth koncepteve ekonomike dhe financiare, produkteve, shërbimeve, sfidave dhe rreziqeve, përmes marrjes së informacioneve, zhvillimit të aftësive dhe shprehive të tyre për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për ta përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.
Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale e ndërgjegjësimit për fëmijë dhe të rinj, në mënyrë që në moshë të hershme të sigurohen, t’i fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të duhura financiare. Kjo fushatë apo aktivitet shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare, në mënyra të ndryshme, derisa motoja e kësaj jave këtë vit është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë tua”, e cila përmban një mesazh që vjen si ndikim i pandemisë në të gjithat fushat e jetës.
“Ngritja e numrit të rasteve me Covid-19, posaçërisht javët e fundit, ka ndikuar që ta ndryshojmë agjendën tonë të paraparë për këtë javë dhe t’i përshtatemi respektimit të rregullave të përcaktuara për pandeminë. Sot do ta shënojmë hapjen e kësaj jave me grupe të vogla nxënësish të cilët do ta vizitojnë BQK-në. Të njëjtët kanë marrë pjesë në garën e BQK-së për ese, me temën e edukimit financiar dhe që janë përzgjedhur si esetë më të mira, për të cilët do të ndajmë disa çmime simbolike. Pastaj do të vazhdohet gjatë javës me ligjërata e aktivitete të tjera virtuale në pamundësi të realizimit të aktiviteteve të parapara. Një aktivitet tjetër për të cilin dëshiroj t’i ftoj nxënësit e shkollave të mesme që të marrin pjesë, është që sot ne kemi shpallur një konkurs për ese me temën e motos së kësaj jave ‘Kujdesu për veten kujdesu për paratë’, i cili do të qëndrojë i hapur për një muaj, ku tri esetë më të mira do t’i fitojnë tri çmime. Qëllimi i këtij konkursi është që t’i nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar e edukuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka thënë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në lansimin e kësaj jave.
BQK-ja nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili tashmë drejtohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). BQK organizon ngjarje e aktivitete të ndryshme me qëllim që të ndikojë në nxitjen e fëmijëve dhe të rinjve që të fitojnë njohuri ekonomike e financiare të cilat do t’ju nevojiten gjatë tërë jetës.
Qëllimi i programit të edukimit financiar të BQK-së është që në aktivitetet dhe materialet edukative t’i përfshijë të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.
Vlen të përmendet një nga projektet konkrete që ka nisur BQK-ja dhe që lidhet me institucionalizimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit financiar që vjen pas nënshkrimit të memorandumit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në tetorin e vitit të kaluar.
“Po ashtu, jemi pajtuar për mundësinë e përfshirjes së edukimit financiar në kurrikulën shkollore dhe konkretisht kemi përgatitur koleksionin prej pesë librash për klasat I deri V, i cili planifikohet të shpërndahet porsa të na lejojnë kushtet e pandemisë dhe do të mësohen në kuadër të lëndës ‘Shkathtësi për jetë’. Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulën zyrtare shkollore njihet si një nga mënyrat më efikase, të qëndrueshme, afatgjatë dhe të duhura për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare të mësohen nga një gjeneratë e tërë dhe në nivel vendi. Po ashtu, kemi një numër projektesh në proces, për të cilat do të informoheni me kohë, të cilat konsideroj se do të kontribuojnë në të mirën e qytetarëve dhe marrjen e vendimeve të duhura financiare kundrejt produkteve dhe shërbimeve financiare. Gjithashtu, dua t’ju informoj që të gjitha aktivitetet materiale dhe konkurset në vazhdimësi i promovojmë edhe në faqen zyrtare apo në rrjetet sociale të BQK-së, andaj i ftoj fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë që të na përcjellin qoftë përmes tyre”, ka thënë guvernatori Mehmeti.
Banka Qendrore e Republikës e Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë fton nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës të marrin pjesë në konkursin për esenë më të mirë në fushën e financave dhe ekonomisë.
Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur konkursin për esenë më të mirë në fushë e financave dhe ekonomisë.