Braathu dhe Begaj përuruan zyrën e re të OSBE-së në Malishevë
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kanë përuruar të premten zyrën e re të OSBE-së në Malishevë. Me këtë rast, shefi i misionit të OSBE-së, Jan Braathu, ka falënderuar kryetarin Begaj dhe Komunën e Malishevës, për bashkëpunimin e mirë me këtë mision.
Para përurimit të kësaj zyre, ambasadori Braathu, është pritur në takim nga kryetari Begaj, me bashkëpunëtorë. Në këtë takim, Braathu, ka falënderuar Komunën e Malishevës për bashkëpunimin e mirë dhe për përkrahje të ekipit komunal të OSBE-së. Po ashtu, ai e ka falënderuar këtë komunë për hapësirën dhe për rregullimin e zyrës së re të OSBE-së.
Ndërsa kryetari Begaj, ka thënë “se me ekipin e OSBE-së, jetojmë dhe punojmë në një shtëpi, prandaj bashkëpunimi i ndërsjellë është i domosdoshëm”.
Gjithashtu, Begaj ka falënderuar shefin e misionit të OSBE-së, Jan Braathu, për bashkëpunim dhe për përkrahje të vazhdueshme për Komunën e Malishevës. “Ju falënderoj për punën që bëni këtu, punë për të cilën ne kemi nevojë të vazhdueshme, si një shtet i ri që jemi”, është shprehur Begaj.