Braathu: Masat e ndërmarra kundër Covid-19 ndikuan të kemi situatë më të mirë në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur në takim ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
Gjatë këtij takimi, ambasadori Braathu ka thënë se masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të sëmundjes COVID-19 kanë ndikuar që të kemi një situatë më të mirë në Kosovë.
Ai ka theksuar se në këto rrethana asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti publik, veçanërisht kur janë sfiduar edhe sistemet më të zhvilluara të shëndetësisë në botë.
Ndërsa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arbën Vitia është shprehur se masat janë një prej arsyeve që sot shtrirja e epidemisë është më e sheshtë si dhe theksoi rëndësinë e unitetit për t’u ballafaquar me këtë situatë.
Më tutje, e ka njoftuar Braathu për së afërmi edhe me mekanizmat e parapara për menaxhimin e situatës pandemike.
Po ashtu, Vitia ka njoftuar ambasadorin Braathu se gjatë kësaj kohe janë siguruar ndihma nga OBSH, UNICEF, Bashkimi Evropian, SHBA-ja, AQH – SDC (Swiss Development and Cooperation Agency).
Në këtë takim është diskutuar për humanitetin që duhet ta tregojnë të gjithë për të bashkëvepruar për të ndaluar shtrirjen e mëtutjeshme të COVID-19.
Gjithashtu është diskutuar për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me komunat ku jetojnë edhe komunitetet e tjera.
Vitia e ka siguruar ambasadorin se Ministria e Shëndetësisë nuk do të bëjë asnjë dallim me asnjë nga komunat dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke theksuar se në situatën në të cilën gjendemi është shumë i rëndësishëm koordinimi dhe bashkëpunimi, që me sa më pak pasoja të tejkalohet kjo situatë e vështirë ngaqë, siç u shpreh, virusi nuk njeh as nacionalitet e as kufi.