Braha: Momenti që vashat të dëshmojnë veten në arenën ndërkombëtare

23 korrik 2020 | 14:37

Kosova A te femrat për herë të parë vitin e ardhshëm do të luajë në garat ndërkombëtare. Debutimi do të jetë historik për vashat e Kosovës. Vendimi i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për formimin e Përfaqësueses A te femrat dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare është pritur shumë mirë nga komuniteti i basketbollit. Shumë basketbolliste kanë luajtur me dekada të tëra në Kosovë, por nuk kanë pasur mundësi ta veshin fanellën e Kosovës për shkak të mospranimit. Një nga basketbollistet e Gjeneratës së Artë është edhe Vlora Braha.

“Mendoj se ka qenë momenti që diçka e tillë të ndodhë dhe është një nga nismat më të qëlluara që është marrë nga Federata e Basketbollit e Kosovës sepse jo vetëm që e çon dhe e zhvillon më tutje basketbollin e femrave, por edhe u jep mundësi atyre që ta dëshmojnë veten në arenën ndërkombëtare.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse vetëm në këtë mënyrë basketbollistet tona do të kaliten e, pse jo, një ditë jo dhe aq larg, të na përfaqësojnë denjësisht në garat ndërkombëtare”, është shprehur Braha për faqen zyrtare të FBK-së.

Kosova A (femrat) pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 qershor. Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Evrope do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve shtator/tetor 2020. FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që t’i regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e Shëndetësisë të krahinave federale gjermane planifikojnë të vendosin…