Brahim Mehmetaj e quan gënjeshtër pjesëmarrjen në arrestimin e personave të ndaluar në Zllash
Brahim Mehmetaj, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafës, është pyetur nga prokurorja Silvia D’ascoli nëse ka marrë pjesë në arrestimin e personave të ndaluar në Zllash, e ai këtë e quajti gënjeshtër të vitit.
“Gënjeshtra më e madhe e vitit, nuk e di cilin vit është thënë po më e madhja e atij viti. Nuk kam marrë pjesë në asnjë arrestim, jo Zllash, por asnjë në asnjë vend në Kosovë që ekziston”, u përgjigj Mehmetaj.
Fillimisht, dëshmitarit Brahim Mehmetaj, në seancën e së enjtes, gjatë vazhdimit të marrjes në pyetje nga prokurorja Silvia D’ascoli, i janë treguar disa fotografi që nuk u bënë të njohura për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për njërën nga fotot që iu tregua, u pyet se kush janë personat në foto, ai tha se një nga personat që është i ulur është personi me emrin Agron, të cilit nuk ia di mbiemrin, personat tjerë deklaroi se janë Salih Mustafa dhe Fatmir Sopi.
Lidhur me fotografinë e dytë, ai tha se i njeh gjithë personat në fotografi, ndër ta tha se është Ahmet Isufi, Salih Mustafa, Fatmir Sopi dhe personi me nofkën “Shaqa”.
Ndërkaq, për fotografinë e tretë, ai tha se njeh personin të quajtur Bahri Gashi, kurse tha një person në të djathtë nuk e njeh.
Tutje, u vazhdua me një fotografi tjetër, për të cilën dëshmitari Mehmetaj deklaroi se për shkak të afërsisë po e njeh të akuzuarin Salih Mustafa, ndërsa të tjerët tha se nuk po i njeh.
“Fotografia është shumë e vjetër, ndoshta e bërë në fillim të luftës”, tha ai, derisa shtoi se nuk po shihet mirë në fotografi se kush janë personat e tjerë.
Ndërsa, për fotografinë e pestë që iu tregua, dëshmitari tha se aty janë Salih Mustafa, Bahri Gashi, Jusuf Shalaku që ishte përgjegjës për logjistikën në njësinë BIA, kurse personin tjetër tha se nuk po e njeh.
Dëshmitari Mehmetaj, lidhur me fotografinë e gjashtë, deklaroi se përveç personit në mes, dy të tjerët nuk i njeh.
“Për herë të parë po e shoh këtë fotografi, ky në mes është Salih Mustafa”, tha ai.
Lidhur me fotografinë e fundit, ai deklaroi se në atë foto janë ai, Salih Mustafa, Adem Shehu, Fatmir Humolli dhe një person me emrin Avni, të cilit nuk ia di mbiemrin. Për këtë fotografi tha se ka qenë e rastit dhe se janë takuar për qejf.
Pas këtyre fotografive, dëshmitari Mehmetaj, vazhdoi duke u përgjigjur në pyetje të prokurorisë, ku njëherë iu përmend deklarata e tij një ditë më parë, ku kishte thënë se ka qenë dy herë në Zllash, njëherë me Flora Brovinën për të dërguar ndihma dhe njëherë tjetër për të takuar mikun e tij Isa Kastratin.
Prokurorja D’ascoli i tregoi atij një pjesë të deklaratës së tij për prokurorinë, ku kishte thënë “unë e përmenda më herët që kam qenë dy herë në Zllash. Kur shkova atje, njëherë shkova këtu (duke iu referuar shtëpisë së sigurt të BIA-së” dhe njëherë te shtëpia e Sahitit”.
Pas kësaj, ajo tha se prokurori e ka pyetur kur ishte hera e parë që shkoi në Zllash, e se Mehmetaj kishte thënë se ishte para ofensivës, diku nga marsi.
Pastaj, u tha se prokurori e ka pyetur për çfarë arsye ka shkuar në Zllash atëherë, e dëshmitari ishte përgjigjur se arsyeja pse kishte shkuar në Zllash ishte të takohej me shokët e tij, ku ishte takuar edhe me Isa Kastratin dhe po e përmend emrin e tij sepse është temë delikatë për të dhe e ndjeshme, një mik i vjetër nga fëmijëria dhe dikush me të cilin u kyç në UÇK.
“Gjatë intervistës me ZPS thatë se hera e parë që shkuat në Zllash ishte në mars dhe shkuat për të takuar Isa Kastratin. Dje na thatë se hera e dytë ishte kur kishe shkuar për tu takuar me Isa Kastratin, në prill, dy javë para 21 prillit”, tha prokurorja, duke e pyetur se cila qëndron.
“E kam ngatërruar këtë çështje për shkak temë e interesit në atë kohë më ka shpjeguar prokurori se kanë qenë ata muaj mars-prill dhe ndoshta e kam ngatërru atë temë atëherë. Por, kjo që e thashë këtu është e vërtetë dhe po mundohem gjithë që të jem sa më i saktë dhe vërtet para gjykatës”, u përgjigj dëshmitari.
Tutje, iu lexua pjesë tjetër e deklaratës për ZPS-në, ku prokurori e ka pyetur se a ka hyrë në atë banesë dhe ai ishte përgjigjur se ka hyrë atje.
“Pyetja ishte, mirë në cilën pjesë të saj. Ju thatë që BIA qëndronte në dy dhoma. Pyetja çka po ndodhte në pjesën tjetër të shtëpisë. Ju thatë të jem i sinqertë nuk ishte në interesin tim ta dija”, ka thënë prokurorja dhe e pyeti nëse mban mend këtë.
E dëshmitari tha se me siguri është ashtu. Kurse, lidhur me herën e dytë që kishte qenë në Zllash, prokurorja D’ascoli, tha se prokurori e kishte pyetur se kur ka qenë hera e dytë që keni qenë në Zllash.
“Përgjigja juaj, kjo ka qenë pas ofensivës. Mendoj se ka qenë pas ofensivës, nuk jam i sigurt për muajin, por mendoj se kam shkuar në maj, kam shku në shtëpinë e Sahitit sepse aty po shëroheshin dy shokë të mi dhe një ushtar”, citoi prokurorja.
Sipas saj, ky është një rrëfim tjetër që dallon nga ajo çka ka thënë dëshmitari në gjykatore, pasi dje nuk e ka përmendur fare këtë episod.
“Në intervistën me ZPS e keni shpjegu me hollësi këtë vizitë. Prokurori pyet sa keni qëndruar në Zllash herën e dytë, ju thatë nuk besoj që kam qëndru shumë gjatë sepse nuk kishte shumë vend. Edhe sikur të kisha dashtë me qëndru më gjatë, nuk kishte hapësirë, nuk kishte dhoma të mjaftueshme. Duhet të kthehesha sepse Sabiti ishte në gjendje të rëndë, duhet të shkoja të gjej mjek për të bërë operacion për të nxjerrë një copë granate nga trupi i Sabitit. Arritëm me gjet doktorin e çuam te Sabiti dhe ai e kreu operacionin dhe e shpëtoi Sabitin”, tha prokurorja.
Sipas saj, gjatë intervistës me ZPS-në është pyetur konkretisht për prill të vitit 1999 e lëvizjet e tij dhe dëshmitari me hollësi ka shpjeguar këtë aspekt dhe asnjëherë nuk ka përmendur Zllashin.
Ajo vazhdoi duke lexuar deklaratën e tij për ZPS-në e për të cilën u tha se me raste ishte e ndryshme nga ajo në gjykatore.
Dëshmitari tha se nuk pajtohet me konstatimin e prokurorisë që është takuar me të akuzuarin pas intervistës që ai ka dhënë me prokurorin dhe i kanë koordinuar deklaratat.
“Deklarata ime para prokurorit ka qenë e dhënë në bazë të njohurive që kam pasur dhe mund të kem harru ndonjë sekuencë apo detaj për shkak të rrethanave që ka qenë shumë e gjatë 20 vite, besoj se edhe ju e keni të pamundur që të mbani mend çka ka ndodh në jetën reale para 20 viteve, le më në kushte lufte”, tha ai.
Tutje, mohoi se kanë bërë ndonjë koordinim për deklaratë me Salih Mustafën, duke e konsideruar të pavërtetë.
Sipas tij, ka qenë një insistim i prokurorit gjatë gjithë kohës se a ka qenë në Mramor dhe se kjo ndoshta ia ka turbulluar mendjen, por jo qëllimisht.
“Pjesa katër në të njëjtën intervistë, nga fundi i intervistës, ju bën një pyetje, një sërë numrash pyetjesh procedurale për mënyrën se si u bë intervista. Një nga përgjigjet tuaja ishte, pyetja e prokurorit ishte se a konfirmoni se me vullnetin tuaj këtë deklaratë dhe nuk ju kam kërcënuar apo detyruar për të bërë këtë. Ju e konfirmuat dhe shtuat “faleminderit për korrektësinë e kësaj interviste”. Tani po thoni një gjë tjetër”, tha ai.
Dëshmitari tha se insistimi ka qenë i prokurorit, ku disa herë i është bërë pyetja a ke qenë në Mramor, sa herë ke qenë.
“Këtë po e them, asgjë tjetër, prapë vazhdoj me pas respekt për prokurorin dhe të tjerët në sallë. Vetëm kërkoj drejtësia të respektohet”, tha Mehmetaj.
“Dje na thatë se e keni lexuar aktakuzën ditë pas arrestimit të Mustafës dhe ishit në dijeni për datat, vendndodhjen dhe emrat në aktakuzë. Tani në kohën që dhatë deklaratën mbrojtjes, ku për herë të parë përmendët prillin 1999, pra ju deri atëherë ishit në dijeni për datat e akuzave të përmendura në aktakuzë. Ishit në dijeni për përmbajtjen e aktakuzës dhe hollësitë që kishte aktakuza”, tha prokurorja.
Dëshmitari Mehmetaj tha se nuk ka qenë informim vetëm prej aktakuzës që është publikuar, por kanë qenë edhe datat që i ka thënë prokurori, kur ai është marrë në pyetje nga ana e prokurorit.
Prokurorja e pyeti nëse pas arrestimit të Mustafës e ndryshoi deklaratën e tij.
“Tash jam në betim dhe jam i vetëdijshëm që e vërteta ime kontribuon për drejtësinë dhe jam i sigurt që kjo drejtësi do të vihet në vend dhe po mundohem këtu me thënë të vërtetën që unë e di dhe e kam ditë. Kaq”, tha Mehmetaj.
Ndërsa, prokurorja e pyeti se a iu kujtuan më shumë hollësi apo më pak për vizitën në Zllash.
“A ndryshuat versionin dhe ju kujtuan më shumë hollësi a më pak për vizitën në Zllash sepse në fakt keni qenë disa herë në Zllash, jo vetëm ato dy herë që na keni thënë keni qenë më shumë herë”, tha prokurorja.
Për këtë, dëshmitari tha se është munduar me qenë i saktë edhe para prokurorit por edhe para avokatit kur e ka dhënë intervistën.
“Kjo te shtëpia e Sahitit ka qenë kah përfundimi i luftës, as tash nuk pe shoh që ka ndonjë implikim në atë që po kërkoni këtu. Është pjesë e vërtetë e gjithë tregimit tim që e kam bërë këtu, jam mundu me qenë i saktë edhe para prokurorit, por edhe para avokatit kur e kam bërë intervistën”, ka thënë Mehmetaj.
“E kuptojmë që keni qenë në Zllash të paktën 3 herë, përfshirë atë në maj”, pyeti prokurorja.
“Ka qenë tash po them hera e tretë, ashtu ka qenë, për qëllime tjera shumë të shpejta, të plagosur kemi pas njerëz tonë dhe është dashtë ndihma me siguru me mjek ashtu siç e kam shpjegu këtu. Por, nuk është ndonjë arsye mos me paraqit ma herët ose me bo ndonjë fshehje, sepse kjo sipas mendimit tim nuk çon peshë te ajo që juve ju intereson”, tha Mehmetaj.
Ai u pyet a ishte shpesh në Zllash në prill 1999, më shumë se dy tre herë.
“Në muajin prill e kam thënë si më kujtohet, ajo pjesa mars-prill dhe kur është bërë krahasimi me atë kur u vra Isa Kastrati, i bjen që ka qenë në prill dhe që gjatë muajit prill kam qenë një herë”, tha ai.
Prokurorja e pyeti se a ka marrë pjesë në arrestimin e disa personave, që u çuan në dhomën e ndalimit në Zllash.
“Gënjeshtra më e madhe e vitit, nuk e di cilin vit është thënë po e madhja e atij viti. Nuk kam marrë pjesë në asnjë arrestim, jo Zllash, por asnjë në asnjë vend në Kosovë që ekziston”, u përgjigj Mehmetaj.
Prokurorja e pyeti a mori pjesë në keqtrajtimin e personave të ndalur në Zllash.
“Çështja e keqtrajtimit e këto janë komplet gënjeshtra të sajuara nga individë të caktuar, nuk kanë të bëjnë me mua. Ky veprim nuk është i lidhur me mua dhe marr përgjegjësi të plotë sikurse duhet të marrin përgjegjësi personat që kanë sajuar gënjeshtra për mua”, tha ai.
Kurse, i pyetur nëse mori pjesë në lirimin e personave të mbajtur në Zllash, ai sërish mohoi këtë dhe tha se nuk ka marrë pjesë, nuk ka parë diçka të tillë, nuk ka qenë prezent në ato vende asnjëherë dhe nuk ka kryer veprime të tilla.
“Janë gënjeshtra të sajuara nga individë të caktuar dhe i propozoj gjykatës së nderuar me u marrë me ta për këto gënjeshtra”, tha Mehmetaj.