Brahimaj: Ideali i dëshmorëve, obligim për ne!
Me rastin e 19 vjetorit të rënies së luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj dhe tre eprorëve të lartë të Brigadës 131 ”Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Lahi Brahimaj, ka përkujtuar sakrificën dhe heroizmin e tyre.
Përmes një statusi postuar në llogarinë e tij Facebook, Brahimaj ndër të tjera ka thënë se nderimi më i mirë dhe më kuptimploti për dëshmorët e kombit është duke i’u përmbajtur idealit të tyre.
Ky është postimi i plotë i tij:
“Sot e përmot, të gjithë ne, duhet të përkujtojmë sakrificën e madhe të të gjithë brezave dhe të vazhdojmë në hapat e tyre për jetësimin e amanetit të dëshmorëve, për shtet të lirë e të fortë. Ideali i tyre, është obligim për ne!
Nderimi më i mirë dhe më kuptimploti për dëshmorët e kombit është duke i’u përmbajtur idealit të tyre. Lavdi e përjetshme, Gjeneralit, Shkëlzen Haradinaj, e bashkëluftetarëve të tij, dëshmorëve, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj, të cilët bashkë tok u bënë shtylla çeliku mbi të cilat u ndërtua shteti i pavarur i Kosovës.
Në ketë datë nuk mund të mos kujtohet edhe fatkeqësia që gjithmonë mbeti padrejtësi, 13 vite pa Enverin, i cili ishte shembelltyrë e luftetarit për liri.
Shkelzeni, Enveri dhe të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar, që ranë në altarin e pavdeksisë janë shembulli se si duhet të mbrohet atdheu!
Lavdi!