Brahimaj, pas humbjes: Jam mirë, rikthehem më i fortë
Luftëtari shqiptar Ramiz Brahimaj ka pësuar humbje në debutimin e tij në UFC në Las Vegas. Brahimaj u ndal në raundin e tretë nga Max Griffin.
Referi kishte ndërprerë meçin, pasi pa lëndimin e rëndë që kishte marrë në vesh Brahimaj. Luftëtari shqiptar në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar se është mirë dhe se do të kthehet më i fortë.
“Përshëndetje të gjithëve! Jam mirë. Thjesht, është një plagë sipërfaqësore. Uroj kundërshtarin tim që bëri luftë të madhe dhe jam vërtet i lumtur që ndava kafazin me të dhe i uroj gjitha të mirat. Unë do të shërohem e do të kthehem sërish. E vlerësoj nga shpirti gjithë përkrahjen që kam marrë. Goditjet nuk janë asgjë e re për mua. Thjesht, do të më bëjnë më të fortë. Shumë dashuri dhe do të kthehem së shpejti”, ka shkruar Brahimaj. Brahimaj është bërë luftëtari i dytë shqiptar që ka luftuar në serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera (MMA), në UFC. Në këtë seri lufton edhe Ilir Latifi.