Braktisen fshatrat, mbipopullohen qytetet

29 korrik 2019 | 17:01

Krahas dukurisë së emigrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve evropiane, por edhe më gjerë, një dukuri tjetër është edhe migrimi i brendshëm, që kryesisht ka si destinim braktisjen e zonave rurale dhe për një jetë të re në viset urbane.

Punësimi dhe arsimimi, shihen ndër arsyet kryesore pse njerëzit preferojnë t’i braktisin fshatrat për të jetuar në qytete.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në vitin e kaluar, janë shënuar rreth 9 000 raste të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën, kryesisht nga viset rurale në ato urbane.

Hajriz Ademi, ka 15 vjet që është larguar me familje nga një fshat në rrethinën e Komunës së Prishtinës, për t’u vendosur për banim brenda kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë.
Ademi, i cili punon në sektorin e arsimit, së bashku më tetë anëtarët e familjes jeton në një banesë në një nga lagjet e Prishtinës.

Ai thotë se ka qenë i detyruar për një vendim të tillë, pasi sipas tij, edhe pse infrastruktura rrugore është rregulluar, arsimimi dhe punësimi i fëmijëve në qytete është më i lehtë sesa në viset rurale. “Janë disa rrethana dhe kontradikta krejt ndryshe. Duke pasur parasysh elementin bujqësor i cili ka humbur kuptimin e vetë, tani njeriu duhet të lëshojë vendlindjen dhe të afrohet afër ndonjë qendre për arsye pune apo të mirave materiale, pasi që fshati i ka humbur ato të mira dhe nuk leverdisë më për të gjithë”, ka deklaruar Ademi.

Shpërnguljet e mëdha të popullatës nga vendet rurale në ato urbane, nisën që prej para luftës, kurse vazhduan me një ritëm edhe më të lartë pas luftës.

Kryeqyteti Prishtina, dominon si destinacioni më i pëlqyer për migrim.

Në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës thuhet se vetëm kjo komunë numëron rreth 200 mijë banorë, nga të cilët 161 mijë jetojnë në zona urbane dhe 37 mijë në zonat rurale. Por, jozyrtarisht, demografët besojnë se në Prishtinë jetojnë numër më i madh i banorëve, krahasuar me shifrat zyrtare, pasi që një numër i konsiderueshëm jetojnë në Prishtinë me qira dhe nuk janë të regjistruar fare.

Kjo zhvendosje, sipas ekspertëve, po ndodh me vetë vullnetin e qytetarëve, në kërkim të një jete më të mirë.

Demografi Rifat Blaku, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, thotë se qytetarët po braktisin fshatrat për arsye shkollimi dhe punësimi.

Ai ka treguar se vetëm infrastruktura rrugore nuk mjafton për një jetë normale në fshat, andaj, thekson ai, duhet të gjenden forma nga institucionet qeveritare që të ofrohen zgjidhje për parandalimin e këtij fenomeni. “Është e vërtetë se në shkallë republike në vitet e pasluftës janë bërë investime në infrastrukturë dhe janë ndërtuar disa shkolla dhe maternitete. Por, ato janë simbolike, kështu që gjendja dhe pasqyrimi më i mirë është migrimi, eksodi nga fshati në qytet. Mjerisht problemi është në manifestim dhe nuk është duke u qetësuar”, është shprehur Blaku.

Pavarësisht shpërnguljes së numrit të madh të qytetarëve nga fshatrat në qytete, Blaku thotë se as viset urbane nuk përmbushin synimet e atyre që vendosin të jetojnë nëpër qytete. “Janë faktorët shtrëngues që i shtynë në masë të madhe, kryesisht të rinjtë, por edhe familje që të braktisin fshatrat dhe t’ua mësyjnë qyteteve me një shpresë se atje do të gjejnë një perspektiv, punë, shkollim apo përmirësim të statusit të tyre social”.

“Por, faktorët atraktiv të qyteteve nuk janë ashtu siç është pritur dhe çfarë është shpresuar pas përfundimit të luftës. Sepse kemi të bëjmë me një zhvillim të paqëndrueshëm të kapitalizmit në Kosovë”, ka thënë Blaku.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, vitin e kaluar, ka qenë rreth 1.8 milion. Nga kjo shifër në vitin 2011, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, rezulton se 61.7 për qind e popullatës jetojnë në zonat rurale, kurse 38.3 për qind më zonat urbane. Në një kilometër katror në Kosovë jetojnë 164 banorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës nëpërmjet një njoftimi ka bërë me dije…