Braktisja e seancave parlamentare nga pushteti, Kryeziu: Kjo është një situatë tragjikomike
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kritikuar partinë në pushtet për braktisjen e seancave parlamentare që po thirren nga opozita.
Ai ka thënë se kushtëzimi që ka bërë LV-ja për pjesëmarrjen në këto seanca nuk është demokratik.
Kryeziu ka shkruar në “Facebook” se kjo situatë është tragjikomike.
“Kuvendi dje mbajti përsëri një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar për gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, pozitë-opozitë, është për t’u përgëzuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka udhëhequr këtë seancë, edhe pse shumica parlamentare, ka zgjedhur të mos marrë pjesë. LV-ja, përmes deputetit Dugolli, ka bërë të ditur se shumica parlamentare do të marrë pjesë në seanca vetëm atëherë pasi opozita të votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo është një situatë tragjikomike, pasi opozita ka arritur të ndikojë që për javë të tëra shumica parlamentare të mos marrë pjesë në Kuvend, dhe të jetë përgjegjëse për një kuvend jo-funksional. Demokracia parlamentare dhe përgjegjësia e shumicës parlamentare nuk janë çështje kushtëzimesh, por dialogim dhe negociim me opozitën. Në të kundërtën, në një kuvend ku nuk merr pjesë shumica parlamentare, më mirë do të ishte që të shpërndahej”, ka shkruar Kryeziu.