“Brate”, Kusari-Lila pranon se e quajti Simiqin “vëlla”, thotë se në serbisht e ka kuptimin e mikut
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar se e ka quajtur ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, “brate” që në shqip do të thotë “vëlla”, në bisedën që u publikua sot në media.
Kusari-Lila është munduar ta arsyetojë përdorimin e kësaj fjale, duke thënë se në serbisht e ka kuptimin e mikut dhe se e ka përmendur në kuptimin e bisedës së lirë.
“Për të gjithë që e flasin gjuhën serbe ose malazeze e dinë kuptimin e fjalës ‘brate’ që nuk do të thotë fjalë e vëllait në veçanti, por fjalë e mikut. Në mënyrën se si përdoret si sinonim i bisedës së lirë, në kuptimin e tillë. Se sikur të ishte vëlla, sikur të ishte ai bashkëpunim ashtu siç po mundohet të aludohet, ai bashkëpunim do të vazhdonte. Gjuha është një komunikim me të cilën unë sot do ta kem një komunikim me cilindo deputet në përgjithësi, si nga pozita si nga opozita, pasi unë komunikoj lirshëm me të gjithë. Në gjuhën serbe dhe malazeze, në të dyja përdoret dhe kjo ka qenë në atë rrjedhë të diskursit të komunikimit”, ka thënë Kusari-Lila.
Pastaj ka shtuar se edhe nuk e flet gjuhën serbe shumë mirë.
“Unë nuk e flas gjuhën shumë mirë, kuptohem mirë. E kam mësuar që në fëmijëri ku jam rritur në Pejë, e kam rifreskuar në masë të madhe kur jam bërë zëdhënëse e Qeverisë në vitin 2003-2004 për shkak të shumë rrethanave”, ka deklaruar Kusari-Lila në KTV.
Lidhur me audio-incizimet që i janë publikuar nga komunikimet me Simiq, Kusari-Lila ka thënë se ka bërë kërkesë në prokurori që të bëhet superekspertizë jashtë vendit.
“Unë kam kërkuar në kallëzimin penal që e kam dorëzuar kam bërë kërkesë prokurorisë së shtetit që të bëhet edhe superekspertiza. I qëndroj prapa deklarimit, kërkoj superekspertizën dhe kjo bëhet jashtë Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, audio-incizimet e publikuara janë copëza të ndara të bisedës.
“Ato janë copëza të ndara të bisedës me Simiqin, ndërsa ndërlidhja dhe pjesa tjetër e shtuar me Radoiçiqin janë pjesë që janë të vendosura që e bëjnë dallimin mes ambientit, zërit, në veçanti konfirmimet e mia që kanë dalë se janë copy-paste të vetë zërit tim ‘da-da’… Nga analizat përmes programeve në tregojë interferenca në sekondat e zërit ku vërehen valët e zërit që tregojnë ndërprerje të qartë, toni ndryshon papritur dhe këtë nuk e dëgjojmë me veshin tonë, këto janë vlerësime përmes pajisjeve të veçanta në softuer që e bëjnë vlerësimin e autenticitetit të audios”, ka shtuar Kusari-Lila. Reporteri.net