Brazili bëhet vendi i katërt në botë me numër të të infektuarve nga Covidi
Të shtunën Brazili ua kaloi Italisë dhe Spanjës sa i përket numrit të përgjithshëm të të infektuarve me koronavirus, duke e zënë vendin e katërt në botë pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Britanisë së Madhe.
Ministria e Shëndetësisë i regjistroi 14 919 raste të reja për 24 orë dhe numri i përgjithshëm i të prekurve në këtë shtet shkoi në 233 142 persona.
Rritja e numrit të rasteve pritet ta shtojë trysninë ndaj presidentit Jair Bolsonaro, i cili për një muaj i humbi dy ministra të Shëndetësisë përderisa po i kundërshton ekspertët shëndetësorë dhe po bën thirrje që të përdoren ilaçet që nuk janë dëshmuar si efektive.
Bolsonaro, gjithashtu, i ka kritikuar ashpër vendimet e guvernatorëve rajonalë për masa të rrepta të izolimit kundër përhapjes së koronavirusit, ku përfshihet mbyllja e shkollave, dyqaneve dhe restoranteve, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Sipas presidentit, efekti i pandemisë në ekonomi po bëhet i papërballueshëm dhe bizneset duhet të lejohen që të rihapen sa më shpejt që është e mundshme. Qeveria braziliane pret që ekonomia ta shënojë tkurrjen më të madhe që është regjistruar ndonjëherë në histori prej fillimit të mbajtjes së statistikave para më shumë se një shekulli.