Brazili kalon shifrën prej 500 mijë viktimave nga Covidi
Brazili ka konfirmuar se numri i vdekjeve nga Covid-19 ka kaluar shifrën prej 500 000, duke u bërë shteti i dytë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, që ka kaluar këtë shifër.
Teksa Brazili ka arritur këtë shifër të viktimave, mijëra majtistë kanë protestuar në mbarë vendin kundër presidentit, Jair Bolsonaro dhe për mënyrën se si ai po e menaxhon pandeminë.
Afër 18 milionë persona në Brazil janë infektuar me koronavirus. Ky shtet, që ka popullsi prej 213 milionë banorësh, ka regjistruar pothuajse 100 000 raste të reja dhe 2 000 vdekje në baza ditore.
Vetëm 30 për qind e brazilianëve deri më tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19, ndërkaq rreth 11 për qind e popullsisë janë të vaksinuar plotësisht.
Vetëm ShBA-ja ka shënuar më shumë vdekje nga Covid-19, përkatësisht në këtë shtet janë regjistruar pothuajse 602 000 viktima. Por, në ShBA ka rënë numri i infektimeve të reja dhe shumë kufizime janë hequr për shkak të fushatës së vaksinimit.
Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se i ashtuquajturi varianti “Delta” i koronavirusit, variant që fillimisht u detektua në Indi, mund të rrisë numrin e infektimeve në javët dhe muajt në vijim, veçanërisht në mesin e personave që ende nuk janë vaksinuar.
ShBA-ja, që ka numër të mjaftueshëm të vaksinave, ka vendosur që të dhurojë 2.5 milionë doza të vaksinave për Tajvanin, thanë zyrtarët më 19 qershor, raporton “Rel”.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ky donacion reflekton rëndësinë e raporteve ShBA-Tajvan dhe për vetëdijesimi lidhur me “sfidat e padrejta” me të cilat po përballet Tajvani, të cilën Kina e konsideron provincë.
Ndërsa në Rusi situata me pandeminë është duke u përkeqësuar.
Zyrtarët shëndetësorë më 19 qershor raportuan për 17.906 raste të reja. Mbi gjysma e rasteve të reja janë regjistruar në Moskë.
Rritja e rasteve me Covid-19 në Rusi besohet se është shkaktuar nga përhapja e variantit “Delta”, që është më i transmetueshëm, por edhe nga hezitimi i rusëve që të vaksinohen. Deri më tani, vetëm rreth 12 për qind e popullsisë kanë marrë një dozë të vaksinës.
Në Moskë dhe në dy rajone të tjera ruse, autoritetet kanë urdhëruar vaksinimin e punëtorëve të disa sektorëve të shërbimeve. Për shkak të rritjes së rasteve, po ashtu janë vendosur disa kufizime të reja.
Në Rusi, deri më tani janë regjistruar pothuajse 5.3 milionë raste me koronavirus dhe 128 911 vdekje. Por, ekspertët kanë vlerësuar se numri i infektimeve dhe vdekjeve është më i lartë.