Bredhjet e liderëve nëpër botë pa asnjë rezultat në politikën e jashtme
Diplomacia e Kosovës gjatë vitit 2024 nuk është treguar aspak e suksesshme. Përpos bredhjeve (vizitave) nëpër botë, liderët institucionalë nuk kanë treguar asnjë rezultat në raport me ndonjë njohje apo anëtarësim të Kosovës në arenën ndërkombëtare, shkruan “Epoka e re”.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vitit 2024 ka zhvilluar vizita të shumta nëpër botë, duke përfshirë edhe vizitat e shpeshta në ShBA. Edhe kryeministri Albin Kurti ka realizuar vizita të shumta nëpër botë.
Këto vizita më shumë kanë qenë të karakterit multilateral dhe bilateral. Po ashtu, edhe shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, ka realizuar vizita të shumta nëpër shtete të ndryshme, por rezultatet i kanë munguar. Mossukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare kanë qenë të ndërlidhura me procesin e dialogut, konkretisht me zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
Po ashtu, veprimet e brendshme të institucioneve të Kosovës kanë ndikuar në relacionin e raporteve më shumë vende, përfshirë edhe shtetet mike, veçanërisht me ShBA-në, e cila është pasivizuar për shkak të mosmarrjes parasysh të sugjerimeve të saj në raport me disa zhvillime në veriun e Kosovës.
Dështimi më spektakular i pushtetit aktual në diplomaci ka qenë mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Republika e Kosovës më 18 maj kishte mbetur jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Mospërfshirja në agjendë ka ndodhur për shkak se Kosova nuk e ka plotësuar kushtin për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Në plotësimin e këtij kushti kanë insistuar Franca, Gjermania dhe Italia, ndonëse një ditë para mbajtjes së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, nëpërmjet një letre drejtuar Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ishte zotuar se Qeveria e Kosovës do ta hartojë një draft-statut të Asociacionit, duke e anashkaluar atë të Bashkimit Evropian (BE).
Megjithatë, vendet anëtare kanë shprehur gatishmëri që Kosova të mund të bëhet anëtare në një fazë të mëvonshme, nëse e plotëson kushtin e kërkuar nga Franca, Gjermania dhe Italia. Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete kishin vendosur kusht që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.
Më 16 maj, përmes një letre dërguar Këshillit të Evropës, liderët institucionalë të Kosovës ishin zotuar se do ta hartojnë një draft-statut për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dërgojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Me këtë zotim, Kosova kishte thënë se ka përmbushur kushtin e vënë nga disa anëtarë të Këshillit të Evropës dhe Prishtina zyrtare pati kërkuar që të bëhet anëtare e kësaj organizate evropiane për të drejtat e njeriut. Por, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, ka thënë se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.
Letra e dërguar në Këshillin e Evropës nga Donika Gërvalla, pa dijeninë e presidentes Osmani, ka qenë pikë kthese në “acarimin” e raporteve të presidentes me kryeministrin Kurti dhe kryediplomaten Gërvalla.
Në fjalim vjetor të mbajtur në Kuvend, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thumbuar kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla në raport me aleancat ndërkombëtare. “Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, ka thënë ajo.
Pas zhvillimeve në Strasburg ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla. Ajo fajëson ndërkombëtarët për dështimin e Kosovës në KiE, duke thënë se “nuk mund të ndalet anëtarësimi i Kosovës”.
Lidhur me këtë dështim ka pasur reagime të mëdha në Kosovë sidomos nga partitë opozitare, por edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili do të ketë pozitë të rëndësishme në administratën Trump (shef i misioneve speciale), kishte thënë se kryeministri Albin Kurti është duke e penguar Kosovën dhe se, sipas tij, qytetarët meritojnë më mirë.
“Kurti po e pengon Kosovën. Është e trishtueshme. Miqtë e mi në Kosovë meritojnë më mirë. Aq shumë përparim mund të bëhet për normalizimin e marrëdhënieve nëse marrëveshjet thjesht do të zbatoheshin”, kishte shkruar Grenelli në platformën “X”.
Krahas kësaj, diplomacia e Kosovës ka shënuar disa të arritura siç janë liberalizimi i vizave (kriteret kanë qenë të plotësuara nga qeveritë e kaluara) nga BE, njohja e pasaportave nga Tajlanda, Emiratet Arabe, Tajvani dhe njohja nga dy shtete mosnjohëse, Spanja e Armenia. Po ashtu, Kosova gjatë këtij viti ka blerë edhe disa objekte për vendosjen e ambasadave siç është objekti në ShBA.
(Lirim Geci)