Bregu: Besueshmëria e rajonit është në rrezik
Besimi i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian ka rënë dukshëm, duke shënuar pikën më të ulët në gjashtë vitet e fundit. Kështu ka thënë në Konferencën e Ambasadorëve Diplo 2024 në Tiranë, Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.
“Stabiliteti i rajonit tonë qëndron në besimin në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Mjerisht ky besim është lëkundur pasi, sipas të dhënave ende të papublikuara të Balkan Barometrit, mbështetja për BE-në ka qenë në nivelin më të ulët në 6 vitet e fundit, me vetëm 54%”, ka thënë Bregu.
Megjithatë, ajo ka shtuar se e mira është se besimi në bashkëpunimin rajonal, si parakusht i integrimit të suksesshëm në BE është në masën 80%. “Për të arritur integrimin në BE, ne kemi nevojë për një bashkëpunim të suksesshëm rajonal. Ndërsa kemi parë njëfarë progresi, nevojitet zbatimi i plotë i angazhimeve të marra, pasi inkurajimi i lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore midis Ballkanit Perëndimor mund të sjellë një rritje prej 1.3% të PBB-së”, ka thënë Bregu.
Më tej, ajo ka thënë se besueshmëria e rajonit është në rrezik dhe bllokimet dhe vonesat e vazhdueshme në zbatimin e detyrimeve dhe angazhimeve do të kenë kosto të larta.