Bregu: Është koha që të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, Majlinda Bregu ka thënë se BE-ja duhet të respektojë traktatin e vet e të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
“Koha për t’i dhënë fund shtirjes! BE-ja duhet të respektojë Traktatin e vet e të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Falënderojmë Presidenten Ursula von der Leyen të Komisionit Evropian që ka artikuluar vizionin e Evropës si kontinent. Në shpresojmë që ky do të jetë objektivi dhe qasja e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Ndërsa ne në rajon duhet të përveshim mëngët e të përmbushim tërësisht objektivat e reformave tona, duke lënë mënjanë hidhërimin dhe zhgënjimin që ekziston në rajon”, ka thënë ajo gjatë hapjes së konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë për të ardhmen e Ballkanit të quajtur “Për të vallëzuar duhen dy vetë: Ballkani Perëndimor ndërmjet shpresës dhe realitetit”, organizuar në Bruksel sot nga organizata “Miqtë e Evropës”.
“Ky moment është ndoshta kriza më e madhe në marrëdhënien politike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që prej vitit 1999. Që prej këtij momenti e deri në Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, të gjithë do të presin me padurim marrjen e vendimit nga BE-ja, por kush mund të garantojë që reformat do të nxiten me forcë dhe seriozitet? Unë shpresoj shumë që vendimi jo vetëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por edhe për të ardhmen e të gjithë procesit të integrimit dhe të anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit, të mos ndikojë së tepërmi e të zhgënjejë administratën publike, e cila më shumë se organet e tjera duhet të jetë e motivuar për të ecur përpara me reformat”, ka thënë Bregu.
Ajo ka përfunduar fjalën e saj duke u shprehur se: “pavarësisht faktit që rajoni ka pritshmëri të mëdha nga Presidenca kroate e Këshillit të BE-së, nuk do të tregoheshim të zgjuar apo me vizion, në rast se do të prisnim që vetëm Kroacia, Gjermania apo Franca do të mund ta ndryshonin drejtimin e erërave të ftohta që po fryjnë në Ballkan. Megjithatë në rast se ne nuk shpalosim përparim të besueshëm në procesin e anëtarësimit, do të na kthehet bumerangu, do të bjerë oreksi për reforma, do të rritet konflikti ndërpartiak e do të ketë mungesë stabiliteti”.
/Epoka e re/