Bregu: Qeveritë e Ballkanit duhet të mbajnë përgjegjësi për ta zbatuar tregun e përbashkët rajonal
Të martën gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të miratojnë Planin e ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Ky treg është i njëjtë me atë të Bashkimit Evropian, me investime, dixhitale, në industri dhe inovacion.
“Ne jemi krenar që kemi nxitur dhe mbajtur së bashku me EU NEAR, organizatat rajonale, IFI-të dhe partnerë të tjerë barrën e rëndë të këtij procesi. Por, qeveritë do të duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre për të vënë në zbatim këtë plan”, tha sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme.
Papunësia, situata ekonomike, ikja e trurit, të rinjtë që largohen nga vendet e Ballkanit janë realiteti shqetësues i rajonit.
“Në këtë mjedis, nuk është e lehtë të përparosh, prandaj nuk duhet ta ndërlikojmë më shumë jetën tonë, por të krijojmë shansin për t’i bërë vetë propozimet, për të ngritur ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Politika e përqendruar tek kufijtë dhe mosmarrëveshjet nuk do ta bëjë BP më të pasur. Unë shpresoj se Tregu i Përbashkët Rajonal do të miratohet dhe zbatohet në mënyrë të tillë që të sigurojë një integrim më të thellë ekonomik të rajonit. Nëse ndodh kështu, fitimet do të shpërndahen gjerësisht”, përfundoi Bregu.
Samiti i Sofjes mbledh nesër kryeministrat e Procesit të Berlinit, ku do të miratohet Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Konkluzionet e Takimit Ministror për Integrimin e Romëve.