Bregu: Rajoni ka shpresa të mëdha te Presidenca kroate e Këshillit të BE-së
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu është takuar në Zagreb me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.
Gjatë këtij takimi ajo ka thënë se rajoni ka shpresa të mëdha te Presidenca kroate e Këshillit të BE-së në 2020-n.
“Një nga përparësitë e Presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), e cila fillon në janar të vitit 2020 për një periudhë gjashtëmujore, thekson përdorimin e potencialit të plotë të infrastrukturës dhe të burimeve njerëzore, konjektivitetit dhe rrjetëzimit të ekonomive, duke përkuar kështu shumë mirë me objektivin e bashkëpunimit rajonal të shprehur qartë në Planin e Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike (MAP REA). Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të larta nga Presidenca kroate, ndaj ne e falënderojmë Kroacinë si mbështetëse të fortë të integrimit evropian të të gjithë rajonit”, ka thënë Bregu gjatë takimit kryeministrin kroat.
“Deri më tash, zbatimi i Planit të Veprimit MAP REA ka sjellë disa rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç dëshmohet, për shembull, nga marrëveshja rajonale për roaming pa tarifa shtesë, e cila u arrit në prill të këtij viti dhe po zbatohet, duke sjellë ulje të ndjeshme çmimesh, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën që rajoni të ecë në këtë drejtim. Dhe në këtë kontekst, Samiti i BE-së në Zagreb në maj të vitit që vjen, mund të jetë momenti ideal për të lansuar së bashku Udhërrëfyesin për marrëveshjen pa tarifa roaming ndërmjet BE-së dhe rajonit”, ka thënë Bregu, duke e veçuar këtë iniciativë, si një prej nismave që mund të nisen në mënyrë të përbashkët gjatë Presidencës kroate.
Ajo ka shtuar se nisma të tjera janë ato që kanë të bëjnë me promovimin e fuqizimit të grave dhe të vajzave, lansimin e një projekti për të rinjtë, etj.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për bashkëpunimin rajonal dhe për përpjekjet që po bën RCC-ja në këtë drejtim, duke theksuar se organizata ka ndihmuar tashmë rajonin dhe mund ta ndihmojë atë më tej në rrugëtimin drejt BE-së.
Ai ka thënë se nuk ka asnjë magnet tjetër, përveç BE-së, që mund ta orientojë rajonin në rrugën e duhur.
Takimi mes tyre ka qenë pjesë e konsultimeve të rregullta që kryen sekretarja e Përgjithshme Bregu me udhëheqësit e BE-së dhe të rajonit.
/Epoka e re/