Brenda ditës, në Kosovë qarkullojnë mbi 30 lajme të rreme për luftën në Ukrainë
Që kur Rusia ka nisur agresionin në Ukrainë, e gjithë bota po raporton mbi këtë situatë. Ekspert të mediave thonë se dezinformimi e ka burimin në Rusi dhe se kjo po ndodhë me qëllim ekonomik dhe politikë. Këto lajme të rreme po qarkullojnë edhe në Kosovë, madje mbi 30 lajme të rreme po indetifikohen brenda ditës nga ekspertë të sigurisë kibernetike.
Lajmet e rreme po ndikojnë negativisht te lexuesit dhe se besimi i tyre që kanë për media po humbet.
Mentor Hoxhaj, ekspert i sigurisë kibernetike dhe kundërvënies në Kosovë se krejt kjo propagandë ka filluar nga mediat në Rusi.
“Fillon nga 5 e sipër, deri në 20-30 lajme, të cilat janë të rreme nëse llogarit një lajm i rremë sa shpërndahet në një faqe. Ne kemi konstatuar një faqe shpërndahet 40 herë dhe arrijnë një audience mbi 2.5 milionë, që do të thotë teorikisht një lexues e shet të njëjtin lajm më shumë se 2.5 herë[…] Fillimisht kanë qenë lajmet e rreme edhe vazhdojnë të jenë lajmet nga Rusia gazetat ‘Russia today’ dhe ‘Sputink’ dhe kanë marrë masa për të zvogëluar mundësinë e dezinformimit për të vazhduar më pastajme lajme të rreme, të cilat vazhdojnë të kenë impakt edhe në Republikën e Kosovës nga mediat pro ruse dhe pro serbe”, tha ai.
Qarkullimi i këtyre lajmeve të rreme, sipas tij, po kanë ndikim të madh te moshat e reja.
“Kemi pasur një ndikim jashtëzakonisht jo të mirë te moshat e reja për të vazhduar edhe te moshat e pjekura, të cilat e kanë pa me shqetësim dhe për atë kanë shprehur shqetësimin e tyre nëpër komente, apo edhe drejtpërdrejt tek unë, ku kanë kërkuar marrjen e masave të ashpra ndaj portaleve të cilat janë duke shpërndarë lajme të rrejshme. Kemi media serioze të cilat vazhdojnë të postojnë çdo foto, video nga Ukraina… Ndërsa mediat joserioze e kanë kryesisht për klikime dhe përfitime materiale”, u shpreh Hoxhaj për KosovaPress.
Pedagogu i shkencave të komunikimit në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri pohon që ka një numër të madh të dezinformateve që janë shpërndarë gjatë këtyre ditëve. Sipas tij, shpërndarja e këtyre lajmeve jo të vërteta po bëhet për dy qëllime.
“Dezinformimi ndodhë për dy arsye. Njëra është çështja ekonomike. Ata dëshirojnë kushdo që e bën të fitojë financiarisht. Zakonisht kur interesimi i qytetarëve në Kosovë, por edhe në vendet e tjera, rritet për një temë të caktuar, pikërisht edhe ata të cilët dezinformojnë për çështje ekonomike. E kthejnë fokusin të ajo temë, sepse janë të vetëdijshëm që do ketë klikime më shumë dhe do të ketë përfitime për ata. Gjithashtu, arsyeja e dytë mund të jetë politike, ideologjike që mund ta bëjnë grupet e caktuara të interesit, sepse dëshirojnë që të krijohet një bindje e caktuar, një perceptim për çështjen në fjalë, qoftë lufta në Ukrainë, ndërhyrja e Rusisë a është e drejtë apo jo”, tha ai.
Ekspertja e medias dhe profesoresha në UP-së, Remzije Shahini-Hoxhaj, e cila është bërë pjesë e rrjetit të komunikimit që u themelua nga shumë ekspertë të botës, thotë se njerëzve iu krijohet një përshtypje e shpresës për jetë, por njëkohësisht edhe informimit.
“Një rrjet digjital i komunikimit që përfshin shumë ekspertë nga e gjithë bota ka filluar një iniciativë pjesë e të cilit jam edhe unë që ta ndihmojmë në një formë apo tjetrën Ukrainën. Ata kanë krijuar një platformë nga përdoruesit ku njerëzit nga Ukraina do të mund t’i rrëfejnë tregimet e tyre sa i përket jetës në ditë lufte…Ne marrim informata prej dorës së parë dhe njerëzve iu krijohet një përshtypje e shpresës për jetë, por njëkohësisht edhe informimit”, shprehet ajo.
Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Media, Faruk Rexhaj thotë që në bazë të monitoritmit që po bëjnë, nuk po arrijnë t’i identifikojnë as kush është prapa atyre mediave.
“KPM monitoron gjitha mediat elektronike, audio dhe audio-vizuele dhe monitoron portalet. Mendoj që ndoshta më shumë kemi fake news nëpër portale të ndryshme të cilat ndoshta nuk iu dihet as pronari apo diçka e ngjashme. Përndryshe sa i përket mediave audio dhe audio-vizuele, qëndrojmë jashtëzakonisht mirë në verifikimin e lajmeve, thjeshtë është KPM-ja që ka vendos kodin e etikës, rregullat e ndryshme të cilat mediat në përgjithësi i respektojnë”, tha Rexhaj.
Në mëngjesin e 24 shkurtit Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, nga ajo ka pasur shumë sulme përfshirë edhe kryeqytetin. Bazuar në të dhënat e Kombeve të Bashkuara deri më tani mbi 1 milion njerëz janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre. /kp