
Brenda ditësh në Kosovë edhe doza e tretë
Vendimi për dozën e tretë dhe dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit pritet të merret shumë shpejt edhe në Kosovë.
“Është çështje ditësh marrja e vendimit, pasi Komiteti për imunizimin e popullatës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë”, konfirmoi për “Radion Evropa e Lirë” Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave të treta.
Dozat e tilla kanë nisur të jepen në shumë vende të botës, pas rekomandimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rregullatorë të tjerë shëndetësorë.
Dozë përforcuese është ajo që i jepet një personi plotësisht të vaksinuar, për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes që mund t’i ketë rënë me kalimin e kohës.
Dozë e tretë konsiderohet ajo që i jepet dikujt që nuk ka krijuar përgjigje të fuqishme imunitare nga seritë e para të vaksinimit.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 10 nëntor më shumë se 745,000 qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme – i kanë marrë nga dy doza të vaksinës.
Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.