Brenda gjykatës, Egzon Azemi i VV-së i akuzuar për huliganizëm, kapet duke bërë ‘pazar’ që ta rehatojë policin viktimë

10 tetor 2024 | 20:50

Egzon Azemi, Shef i Kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë, është kapur brenda Gjykatës duke bërë “pazar” për t’ia ndërruar pozitën policit viktimë në rastin ku akuzohet për huliganizëm.

Në videon e publikuar nga Betimi për Drejtësi, dëgjohet se si polici i dëmtuar, Naim Berisha, që ishte lënduar nga veprimet huligane të protestuesve, kërkon nga Azemi t’i ndërrohet pozita në Polici. Biseda është bërë një muaj më parë, para nisjes së gjykimit ku Azemi akuzohet për huliganizëm në disa protesta të Vetëvendosjes vite më parë, shkruan Reporteri.net.

Bashkëbisedimi mes tyre:

Polici Naim Berisha: Njësia për Përcjelljen e Materieve të Rrezikshme, nuk është urgjent. Një javë, dy…jam harxhuar qatje, seriozisht jam harxhuar, krytë (koka)…

Egzon Azemi: Ku je tash?
Polici Naim Berisha: Tash jam në NJRSH(Njësia për Reagim të Shpejtë).
Azemi: 6860 a?
Polici Naim Berisha: Qaty isha dalë në pension unë…qe 22 vjet rrugëve…
Polici Naim Berisha: Që mundesh me ma kry këtë, deri të vdes nuk ta harroj.

I pyetur një muaj më pas për këtë bisedë, Azemi ka thënë se polici vetëm ka kërkuar informacion.

Pasi gazetari e ka përballur me bisedën, duke i thënë se “Ju ia lypni numrin e ID’së dhe i thoni ku jeni për momentin?”, Azemi është përgjigjur duke thënë se “Numri i ID’së është sikur emri mbiemri për polic”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Egzon Azemi, Luan Hoti, Ardian Huli dhe Naim Bunjaku akuzohen se më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë me vendim lidhur…