Brenda javës ‘Trepça’ regjistrohet si shoqëri aksionare
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, premton se deri në fund të kësaj jave Kombinati Metalurgjik “Trepça” do të regjistrohet si shoqëri aksionare. Regjistrimi bëhet pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, javë më parë, të statutit të “Trepçës”, që i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind të punonjësve të “Trepçës”.
Kombinati Metalurgjik “Trepça” nuk mund të pengohet nga askush për t’u regjistruar si shoqëri aksionare. Ndonëse serbët e pjesës së veriut kanë tentuar për diçka të tillë. Bordi i “Trepçës”, i cili përbëhet nga 6 anëtarë të emëruar nga qeveria, pritet të kompletohet edhe me tre anëtarë të komunitetit serb, kjo për shkak se njëra Njësia e Trepçës gjendet në Veri.
Ardian Syla, kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, ka thënë për Radio Kosovën se ka pasur kundërshtime nga ana e serbëve lidhur me procesin e regjistrimit të “Trepçës”, mirëpo me 1 mars është dorëzuar aplikacioni i regjistrimit dhe shumë shpejt pritet të përfundojë ky proces.
“Me datën 1 mars kemi dorëzuar aplikacionin pranë Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës. Për shkak të volumit të madh të dokumentacionit që është kërkuar, siç janë edhe kopjet e letërnjoftimit të punëtorëve, jemi në pritje të evaluimit të këtij aplikacioni nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, më saktësisht të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, e që shumë shpejt këto ditë do ta kemi një përgjigjeje lidhur me procesin e regjistrimit të Ndërmarrjes “Trepça”, shoqëri aksionare”, tha Syla.
Ligji parasheh që të gjitha njësitë në veri dhe jug të operojnë në një ndërmarrje. Ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona dhe lidhur me ketë janë njoftuar edhe institucionet e Kosovës, është shprehur kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla.
Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i ka thënë Radio Kosovës se teket e disa personave që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e “Trepçës”, nuk mund ta pengojnë zhvillimin e saj. Lluka, madje thotë se brenda javës do të merret certifikata e biznesit të “Trepçës”.
“Ne kemi bërë kërkesë që të gjithë punëtorët të jenë pjesë e aksioneve që u takojnë, pa marrë parasysh nga cila pjesë e Kosovës vijnë. Kjo listë është fillestare për regjistrimit e punëtorëve të “Trepçës” dhe nuk është përfundimtare, mund të ndryshojë kurdo që punëtorët në veri mund të ndjehen komod për të qenë pjesë e asaj që u takon, mund të bashkëngjiten. Nuk mund të ndalemi me regjistrimin dhe zhvillimin e “Trepçës” vetëm për teke të disa personave që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e saj. Prandaj, procesi si përmbledhje është duke vazhduar dhe në fund të kësaj jave do ta kemi certifikatën”, ka thënë ai.
Ministri Lluka ka shtuar se interesimi i investitorëve të huaj asnjëherë nuk ka qenë më i madh. Ai tha se bashkë me kryesuesin e Bordit të “Trepçës”, gjenden në Kanada për të takuar biznese të ndryshme e siç thotë ai, në shtator një delegacion kanadez do të vijë në Kosovë për të shikuar mundësitë e investimit me fokus “Trepçën”. Ministri Lluka tha se zhvillimin e “Trepçës” në tërësi nuk mund ta ndalë askush.