Brenda këtyre ditëve do të gjendet zgjidhja për taksën

04 shkurt 2019 | 14:02

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka thënë të dielën se miratimi i Ligjit të Buxhetit, Ligjit për Paga dhe Ligjit për Dialogun ka treguar se Kosova ka stabilitet shtetëror dhe, pavarësisht prej sfidave, mund të ecë sigurt përpara.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka theksuar se me gjithë debatet, qëndrimet e ndryshme dhe vërejtjet, koalicioni qeverisës është funksional.

“Është e rëndësishme se brenda koalicionit qeverisës ka një pajtim të plotë për procesin e dialogut. Me aprovimin e Ligjit për Dialog është vulosur një qëndrim i përbashkët i koalicionit që të vazhdohet ky proces dhe përmes këtij dokumenti do të përcaktohen edhe përgjegjësitë e atyre që do ta përfaqësojnë vendin në dialog, si dhe opozita do ta ketë derën e hapur. Çështjet e tjera që mund të paraqiten si pengesë ose si çështje të kushtëzuara për dialogun u mbeten liderëve të koalicionit që t’i zgjidhin në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me ShBA-në”, ka deklaruar Pajaziti, duke shtuar se partnerët e koalicionit qeverisës gjatë këtyre ditëve do ta gjejnë zgjidhjen e duhur për çështjen e taksës.

Ai ka thënë se taksa nuk do të paraqesë problem për funksionimin e koalicionit PAN dhe, sipas Pajazitit, nuk do të ketë luhatje në këtë drejtim.

“Koalicioni qeverisës do ta gjejë mënyrën dhe rrugën e duhur në partneritet me ShBA-në dhe BE-në për të ecur më tutje dhe nuk do të ketë luhatje. Mendoj se taksa nuk do të jetë pengesë në këtë drejtim. Madje jam i sigurt se brenda këtyre ditëve do të gjendet një zgjidhje”, është shprehur ai. Kurse sa i perkat kërkesës për zgjedhje të reja, Pajaziti ka thënë se partitë opozitare nuk duhet të bëjnë fushata populiste, por pozitë e opozitë duhet të fokusohen në momentumin për zgjidhjen përfundimtare me Serbinë.

“Epoka e re”: Z. Pajaziti, është më stabil koalicioni PAN pas miratimit të Ligjit të buxhetit, Ligjit për paga dhe Ligjit për dialogun?
Pajaziti: Fakti që të shtunën janë miratuar disa prej ligjeve më të rëndësishme, siç janë Ligji për buxhetin, Ligji për paga dhe Ligji për ‘Trepçën’, tregon se Kosova ka stabilitet shtetëror dhe kjo është më e rëndësishmja. Pra, miratimi i buxhetit në kohën kur kishte presion nga ana e opozitës, që ndërlidhej me stabilitetin e qeverisë dhe me zhvillimet aktuale rreth dialogut, ka dëshmuar se Kosova ka stabilitet dhe, pavarësisht prej sfidave, mund të ecë sigurt përpara.

“Epoka e re”: Por miratimi i këtyre ligjeve është përcjell me debate të ashpra si dhe ka pasur qëndrime të kundërta edhe brenda koalicionit.
Pajaziti: Këto ligje nuk janë vetëm produkt i koalicionit qeverisës sepse aty kanë qenë të përfshira edhe partitë opozitare, pra ka qenë një përfshirje aktive e gjithë spektrit politik, sidomos te Ligji për paga. Pavarësisht se ka pasur dallime edhe në mes të koalicionit për çështje të ndryshme, është hera e parë që në Kosovë është arritur një konsensus me miratimin e këtij ligji. Kemi arritur ta përmbyllim një fazë të rëndësishme, por debati për këtë çështje nuk ka përfunduar. Mbetet që në të ardhmen të rregullohet edhe më mirë. Sidoqoftë, me gjithë këto debate, qëndrime të ndryshme dhe vërejtje, koalicioni qeverisës është funksional.

“Epoka e re”: Mirëpo aprovimi i këtij ligji ka ngjallur pakënaqësi te shumë sektorë të cilët konsiderojnë se nuk janë trajtuar si duhet. Mund të ketë përshkallëzim të pakënaqësisë sindikale?
Pajaziti: Nuk përjashtohet  mundësia  që të ketë edhe ndonjë pakënaqësi, por Ligji për Paga i ka prekur të gjitha kategoritë në sektorin publik dhe duhet të përmendet fakti se është hera e parë që ka një rritje kaq të madhe të pagave. Ka një rritje e cila nuk u shkon në mënyrë lineare të gjithëve, por me këtë ligj janë saktësuar dhe korrigjuar të gjithë sektorët. Mund të ketë edhe lëshime, edhe pakënaqësi, por është shumë më lehtë që këto të përmirësohen ndërkohë.

“Epoka e re”: Z. Pajaziti, ky ligj ka arritur ta ndërpresë grevën në arsim, por LDK-ja dhe partnerja e koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemokrate, e kanë akuzuar PDK-në dhe liderin e saj se ka orkestruar këtë grevë. Është e vërtetë një gjë e tillë?
Pajaziti: Nuk ia vlen të komentohen këto spekulime dhe deklarata të zyrtarëve të këtyre partive. Kryetari i PDK-së, njëherësh lider i koalicionit, Kadri Veseli, ka pasur dhe ka rolin kyç për zgjidhjen e sfidave që paraqiten para nesh. Veseli ka arritur t’i ulë të gjithë faktorët në një tryezë dhe të ndihmojë për zgjidhjen e këtij problemi. Veseli mbetet lideri më i dëshmuar me angazhimin për zgjidhjen e sfidave dhe problemeve në shoqërinë tonë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej tentativave dhe takimeve të fundit, koalicioni qeverisës ende nuk ka arritur të ketë pajtueshmëri për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Cila do të jetë formula për tejkalimin e kësaj çështje?
Pajaziti: Është e rëndësishme se brenda koalicionit qeverisës ka një pajtim të plotë për procesin e dialogut. Me aprovimin e Ligjit për Dialog është vulosur një qëndrim i përbashkët i koalicionit që të vazhdohet ky proces dhe përmes këtij dokumenti do të përcaktohen edhe përgjegjësitë e atyre që do ta përfaqësojnë vendin në dialog si dhe opozita do ta ketë derën e hapur. Çështjet e tjera pastaj që mund të paraqiten si pengesë ose si çështje të kushtëzuara për dialogun u mbeten liderëve të koalicionit që t’i zgjidhin në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me ShBA-në. Edhe këtu Veseli po angazhohet që ta ushtrojë përgjegjësinë e vet që i takon duke kërkuar nga liderët brenda koalicionit, por edhe nga opozita, që të kenë një pajtim sa më të madh me aleatët tanë kryesorë, ShBA-në dhe me BE-në.

“Epoka e re”: Po thoni se ka pajtim të plotë për ta vazhduar dialogun, por si mund të vazhdojë ky proces pa u hequr taksa?
Pajaziti: Këto kërkesa apo kushtëzime duhet të trajtohen në ditët dhe javët e ardhshme brenda koalicionit dhe me partnerët ndërkombëtarë. Është me rëndësi që ka pajtim të plotë se duhet të shkohet në dialog dhe për çështjet e tjera pastaj mbetet të koordinohemi. Edhe çështja e taksës është një prej çështjeve kyçe e cila na obligon të gjithëve që ta ruajmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditët në vijim nuk besoj se do ta thellojmë këtë ndarje, por do ta tejkalojmë.

“Epoka e re”: Ka rrezik që taksa të bëhet shkaktare e rrëzimit të qeverisë?
Pajaziti: Nuk e di se si do të jetë në saktësi puna e taksës, por kjo masë që është mirëpritur nga qytetarët e Kosovës ka ndikuar dukshëm në vetëdijesimin e qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë për një vendosmëri më të madhe që jo vetëm të shkohet në dialog, por edhe të këmbëngulet që të ketë zgjidhje të duhur në raport me Serbinë. Nuk e di se si do të jetë fati e taksës, por një gjë e di, se ajo bëri efektin e vet si dhe që nuk do të ketë luhatje me ShBA-në. Pra, në plan të parë do të jetë ky partneritet.

“Epoka e re”: Janë gjasat më të mëdha që të gjendet zgjidhja për taksën apo të prishet koalicioni?
Pajaziti: Koalicioni qeverisës do ta gjejë mënyrën dhe rrugën e duhur në partneritet me ShBA-në dhe BE-në për të ecur më tutje dhe nuk do të ketë luhatje. Mendoj se taksa nuk do të jetë pengesë në këtë drejtim, madje jam i sigurt se brenda këtyre ditëve do të gjendet një zgjidhje.

“Epoka e re”: Opozita po insiston që taksa të mbetet e qeveria të largohet.
Pajaziti: Opozita po bën fushatë populiste për zgjedhjet e ardhshme me një kauzë e cila, më shumë sesa interes i partive politike, është interes i qytetarëve të vendit. Nuk do të duhej që me kauza të tilla të shërbehen qëllimet ditore politike. Edhe nga pozita mund të ketë qëndrime populiste, por opozita është aktualisht në agjendën partiake paraelektorale.

“Epoka e re”: Që do të thotë se mund të ketë zgjedhje të reja?
Pajaziti: Duhet të jesh shumë komod dhe i papërgjegjshëm që të mendosh për kauza personale e partiake në kohën kur para nesh janë interesat shtetërore e kombëtare. Nëse na është thënë nga aleatët tanë se kemi një mundësi historike që të përmbyllet ky proces me Serbinë atëherë do të ishte papërgjegjësi e plotë sikur këtë gatishmëri ta devijojmë në agjenda partiake e zgjedhore. Madje kjo do të sillte një situatë kur nuk do të mund ta parashikojmë se kur do të vijë një momentum tjetër i përshtatshëm. Pozita e opozita duhet të fokusohen në agjendën që është e mbështetur nga partnerët tanë.

“Epoka  e re”: Jeni optimist se do të mund të shfrytëzohet ky momentum për t’u finalizuar dialogu me Serbinë?
Pajaziti: Historia jonë më e re dhe ngjarjet që kanë ndodhur që nga pas lufta kanë treguar se sa herë kemi qenë të përgjegjshëm dhe në koordinim me partnerët tanë nuk kemi dështuar. Nëse e ndjekim rrugën e njëjtë nuk do të dështojmë. Por, edhe nëse Serbia nuk do të jetë e gatshme për një zgjidhje përfundimtare, partneriteti ynë i çmuar me partnerët ndërkombëtarë do të na shërbejë për fazat e ardhshme në interes të Kosovës dhe zhvillimeve në rajon.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjendet një trup në avionin e rrëzuar në kanalin e…