Brenda një viti deficiti tregtar i Kosovës rritet për 20.2%
Kosova ka shënuar deficit tregtar më të lartë për 20.2 për qind në muajin shtator 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përkatësisht në vlerë prej 257.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 213.9 milionë në vitin 2017, derisa eksporti mbulon importin me 12.5 për qind.
Eksporti i mallrave në muajin shtator 2018, sipas raportit “Statistikat e Tregtisë së Jashtme, shtator 2018”, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), kishte vlerën 36.6 milionë euro, ndërsa importi 293.9 milionë, që shënon rritje 7.6 për qind për eksport dhe rritje 18.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 42.6 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.3 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9.5 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.4 për qind produktet minerale, 9 për qind produktet bimore, etj.
Sipas ASK-së, grupet kryesore për import, 16 për qind përbëhen nga produktet minerale, 13 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.1 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 7.8 për qind mjetet e transportit, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 10.2 milionë euro ose rreth 28 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 14.1 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në Bashkimin Evropian janë Gjermania 7.6 për qind, Holanda 3.4 për qind, Sllovenia 2.2 për qind dhe Danimarka me 2.1 për qind.
Importet e Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian ishin rreth 124 milionë euro ose 42.2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.6 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 10.1 për qind, Italia me 5.9 për qind, Spanja me 3.7 për qind, Greqia me 3.4 për qind dhe Sllovenia me 2.9 për qind.
Në muajin shtator 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 15 milionë euro ose 41.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 9.8 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende ishin Shqipëria me 17 për qind, Maqedonia 11.2 për qind, Serbia 6.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.6 për qind.
Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin shtator 2018, arritën në 82.2 milionë euro ose 28 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 12.8 për qind, Shqipëria me 6.7 për qind, Maqedonia me 5.4 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me 2.6 për qind.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 11.3 milionë euro ose 30.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden India me 21.2 për qind dhe Zvicra me 5.8 për qind.
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 87.6 milionë euro ose 29.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 9.5 për qind dhe Kina 9.5 për qind.