Brenda ose jashtë, City i jep ultimatum Guardiolës
Manchester City e nisi një sezon të ri me objektiv vazhdimin e dominimit në Premierligë me titullin e pestë radhazi.
Fitorja e djeshme ndaj Chelseat, përmes një paraqitjeje bindëse, u jep mesazh të qartë të gjitha ekipeve të tjera, mbi të gjitha Arsenalit e Liverpoolit.
Pra, skuadra për t’u mposhtur në këtë edicion do të jetë ajo e drejtuar nga Pep Guardiola.
Ndërkohë, është pikërisht e ardhmja e trajnerit spanjoll ajo që është më e paqarta.
Guardiola ka kontratë deri në fund të sezonit dhe ky mund të jetë viti i tij i fundit në bankinën e “Citizens”.
Kur iu kërkuan sqarime për këtë temë, ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut e devijoi bisedën dhe nuk doli në çekuilibër.
Tash është vetë klubi që i ka kërkuar Guardiolës ta marrë sa më shpejt të jetë e mundur një vendim.
Sipas “Sky Sports UK”, nuk ka dyshim në faktin se klubi do të donte vërtet që Pep të qëndrojë.
Drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se e kanë në bankinë trajnerin më të mirë në histori të tyre, por edhe njërin prej trajnerëve më të mirë që i ka parë ndonjëherë bota e futbollit.
Para Krishtlindjeve, spanjolli duhet të vendos nëse do ta vazhdojë kontratën apo do të largohet në fund të sezonit, në mënyrë që t’ia mundësojë Manchester Cityt të vazhdojë me programimin e sezonit të ardhshëm. /Express