Brestovci: NISMA është zëri i kategorive të dala nga lufta

07 shkurt 2021 | 21:17

Kandidati Bekim Brestovci, thotë se kauza e partisë me të cilën garon, Nismës Socialdemokrate është përfaqësimi i kategorive të dala nga lufta, pra të jetë krahu i vërtetë i vlerave të luftës.

Ai, kritikon qasjen e PDK-së, si subjekt që në të kaluarën ka qenë prijëse për të mbrojtur këto vlera, por që sipas Brestovcit, tashmë orientimi i këtij subjekti, është diku tjetër.

“Kauza jonë ka mobilizuar një numër të madh të luftëtarëve, të veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve. Përderisa një parti e cila deri më tani kauzë kryesore i kishte mbrojtjen e vlerave të së luftës së UÇK-së, tani për tani është përqendruar në dicka tjetër, për rimëkëmbje ekonomike. Dhe kjo, me të drejtën e tyre. Po e trajton vetën si e reformuar, duke heq dorë çdo ditë e më tepër nga njerëzit e luftës”, tha Brestovci.

Madje, Brestovci thotë se në teren, po marrin përkrahje të madhe të kategorive të dala nga lufta.

“Të gjitha matjet që ne po i bëjmë, na tregojnë se Nisma Socialdemokrate do t’i ketë rreth 55 mijë vota, që në legjislaturën e tetë, do të konvertoheshin po në tetë deputet”, tha numri 11 i listës së Nismës Socialdemokrate.

Madje, Brestovci e ndërlidhë edhe numrin 121 me të cilin garon partia e tij, me numrin e “Brigadës 121”, të cilës i priu Fatmir Limaj. Poashtu, Limaj është prijës edhe i listës së “Çlirimtarëve”, moto kjo me të cilën garon edhe Nisma për këto zgjedhje.

Ndryshe, Bekim Brestovci me numër 11, po garon për një nga 100 vendet e legjislaturës së tetë, nga lista të cilës i prin Fatmir Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AKR-së dhe kandidati për deputet, Behgjet Pacolli, përmes…