“Brexit”, samiti i BE-së pa rezultat
Takimi i liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel me kryeministren britanike, Theresa May, nuk ka shënuar asnjë progres.
Ai që u përshkrua në mediat e huaja si “samiti më i shkurtër i të gjitha kohërave”, pati një darkë të përbashkët dhe pastaj secili u largua në punën e vet.
Ekspertët konsiderojnë megjithatë se “topi” duket të jetë në anën e britanikëve pasi evropianët këto javët e fundit e kanë zbutur ndjeshëm pozicionin e tyre mbi kufirin.
May praktikisht nuk prezantoi asgjë të re në këtë samit. Përfaqësuesit e vijës së ashpër në Britani kërkojnë që vendi të dalë nga Bashkimi Evropian brenda natës, pa asnjë detyrim dhe pa asnjë pagesë përfundimtare.
Përkrahësit e unionit nga ana tjetër kërkojnë një referendum të dytë. Shefja e ekzekutivit britanik e pati sidoqoftë një njoftim pas takimit të Brukselit, transmeton “Top Channel”.
Tranzicioni i shkëputjes, sipas saj, mund të zgjatet me disa muaj për t’u siguruar që nuk do të ketë një kufi fizik në Irlandën e Veriut.
Kryeministrja sqaroi se kjo ishte ideja e re që ka dalë në dritë gjatë negociatave. Largimi i Britanisë duhet të kryhet në mars dhe planet aktuale të periudhës së tranzicionit parashikojnë përfundimin e saj në fundin e 2020-s. Disa ligjvënësve konservatore megjithatë nuk i pëlqen ideja që Mbretëria e Bashkuar të lidhet me rregullat e BE-së për një kohë më të gjatë.