Brexiti pa marrëveshje ‘kërcënon sigurinë e ushqimeve’ në Britani
Dalja pa marrëveshje e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BE) kërcënon sigurinë e ushqimeve në këtë vend dhe çon në çmime më të larta dhe rafte të zbrazëta.
Kështu ka paralajmëruar Konsorciumi Britanik i Shitësve me Pakicë. Në letrën të cilën e kanë nënshkruar disa kompani është thënë se në rast të Brexitit pa marrëveshje, magazinimi i ushqimeve të freskëta është i pamundur dhe se Britania e Madhe është shumë e varur nga BE-ja për prodhim.
Më 15 janar, Parlamenti britanik ka refuzuar të miratojë marrëveshjen që ka arritur kryeministrja britanike, Theresa May, me BE-në rreth kushteve të divorcit.
Publikimi i letrës paralajmëruese nga shitësit britanikë vjen një ditë para se në parlament të votohet Plani B i kryeministres May.
Letrën të cilën e ka parë “BBC:-ja, është thirrur në shifrat e Qeverisë, e cila, në rast të Brexitit pa marrëveshje, ka paralajmëruar rënie mbi 80 për qind të hyrjes së mallrave, që do të kërcënojnë disponueshmërinë e disa prodhimeve.
Siç raporton “BBC”, shitësit me pakicë kanë hezituar deri më tash të ndërhyjnë në debatin e Brexitit, por po e bëjnë këtë pasi po afrohet data e largimit të Britanisë nga BE-ja, që është 29 marsi i këtij viti.