BREZh-i dhe Banka Evropiane Investive mbështesin realizimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka pritur në takim përfaqësuesit e BREZh-it dhe Bankës Evropiane Investive, Lijana Jancauskiene, Konstatinos Mastroglanopulos, Andre Oosterman dhe Bekim Muharremin, me të cilët kanë biseduar për procedurat e mëtutjeshme lidhur me projektin e trajtimit të ujërave të zeza.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Sami Miftari, dhe koordinatori i projektit në këtë kompani, Xhevat Smajli.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të mblidhen të dhëna e duhura për realizimin e këtij projekti si dhe të njihen më për së afërmi me detajet e tjera për kryerjen e procedurave.
Ky projekt kapital është i ndarë në dy faza, në fazën e parë është e përfshirë Mitrovica e Jugut ndërsa në fazën e dytë do të hyj Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, i cili financohet nga BERZh-i dhe Banka Evropiane Investive nëpërmes Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, u shpreh falënderues për përfaqësuesit e të dyja bankave lidhur me gatishmërinë dhe interesimin e tyre që të mbështesin realizimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza, duke e vlerësuar si projekt shumë të rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës.
Ndërsa drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, ka njoftuar të pranishmit lidhur me procedurat ligjore që komuna është e përkushtuar t’i kryejë për realizimin e këtij projekti.
Ai ka bërë me dije se komuna në vazhdimësi është në kontakt me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, për të përfunduar sa më shpejt procedurat në mënyrë që ky projekt të fillojë sa më shpejt.
/Epoka e re/