Brezi i së ardhmes
Opinion nga Besa Ismaili
Demokracia ndërton sisteme. Sistemet ndërtojnë breza. Brezat e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë përherë pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës, historisë së saj dhe të ardhmes së saj.
Ilegaliteti dhe lufta për liri
Brezi i parë është brezi kur u kërkua republika. Republika, që pasohej me shtypje në secilën gojë që thërriste, e në secilën dorë që shkruante K.R [Kosova Republikë]. Gjeneratat e para, tash shumicë dërmuese e Partisë Demokratike të Kosovës, vitet e rinisë i kaluan me tortura nga pushtuesi serb, burgosje, e përndjekje. Ata sakrifikuan çdo gjë nga jeta e tyre, e jo veç nga vetja, por edhe nga familja dhe rrethi i ngushtë. Koha kur si e re, në fillet e rrugëtimit tim akademik, dëgjoja për lëvizjet ilegale shqiptare. Për studentët e rebeluar ndaj pushtuesit serb. Ndër ta, simboli i heshtur, e me bëma të mëdha, z.Kadri Veseli, që sa më shumë e ndoqën aparaturat shtetërore serbe, aq më shumë shtrinte ndikimin dhe përhapte kauzën për rezistencë. Kauza u bë realitet. U morën armët në duar dhe filloi kërkimi i lirisë. Jemi të përkulur ndaj atyre që humbën jetën dhe mirënjohës ndaj të gjallëve që sakrifikuan shumë, ndër ta, shumë bashkanëtarë të mi në Partinë Demokratike të Kosovës.
Shtet-ndërtimi
Institucionet janë ndërtuar duke transformuar njerëz e gjenerata. Por me këtë, Partia Demokratike e Kosovës, si bartësja më e madhe e tyre, ka treguar një gjë, që individi krahas shtetit është në pozitë të dytë. Sot mbase nuk kemi individë, por kemi shtet. Emri i atyre që bënë për shtetin, është gravuar në mendimet tona politike. Të tillë janë emrat e gjeneratës post 2000, gjeneratë që shpalli pavarësinë dhe forcoi aleancat ndërkombëtare. Një binom ky i papërballueshëm për shtetin e Serbisë.
Brezi i së ardhmes
Liria krahas emrit, ka edhe kosto. Kjo kosto ra pikërisht mbi kërkuesit e saj, sakrifikuesit e saj. Ata po përballën me pretendime, me të pavërteta, me një grumbull aleatësh që janë mbledhur për të njollosur lirinë, fatkeqësisht edhe në mesin e shqiptarëve, si formë gëzimi. Po një gjë është mbi kameleonizmin e politikës kosovare dhe interesit grupor, shteti i Kosovës dhe institucionet e saj. Ky është amaneti i çlirimtarëve që ngritën në këmbë breza të tërë, e pa asnjë hamendje, edhe brezin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, si garantuese dhe fundament i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës është fryt i shëndoshë për demokracinë e Kosovës. Ajo është në rrezik, nga lëkundja e bindjeve të forcuara gabimisht, që sforcojnë aleanca me partnerët tanë perëndimorë dhe në anën tjetër, përçajnë shoqërinë.
Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës është e vendosur përballë këtyre bindjeve. Rezultatet e saj do të betonizojnë institucionet e Republikës së Kosovës kundër rrymave deinstitucionale që po rrahin vazhdimisht tek dyert e tyre.
Na priftë e mbara!