Brezi në akth
Nga: Lucy Kellaway / The Financial Times (titulli origjinal: The anxious generation – what’s bothering Britain’s schoolchildren?)
Përktheu: Agron Shala
Për më pak se dy javë, 250 mijë 18-vjeçarë të Anglisë do të kthehen për herë të fundit në shkollë për ta marrë një copë letre në të cilën do të shtypen tri shkronja të alfabetit. Këto nota do t’i përmbledhin arritjet e tyre të deritashme akademike, do të ndikojnë në pjesën tjetër të arsimimit të tyre – ndoshta edhe në pjesën tjetër të jetës së tyre. Njëzet e pesë prej tyre janë nxënës të mi.
Nuk di se si do të ndihen atë ditë, por kam plot dyshime. Që nga shtatori i kaluar kam bërë çmos për t’ua mësuar atyre konkurrencën e monopolit, Lakoren e Laffer-it (lidhja midis shkallës së taksave dhe shumës së të ardhurave tatimore të mbledhura nga qeveritë – v.p.) dhe pjesën tjetër të ekonomisë së nivelit A (provimet e standardizuara në shkollat e mesme – v.p.). Por, a ua kam dhënë atyre mbështetjen që u nevojitet në një aspekt më të gjerë?
Në gjithë vendin, këta adoleshentë janë ndoshta grupi më i brishtë ndonjëherë, i përgatitur në mënyrën më joadekuate dhe grupi më i pakënaqur i nxënësve të vitit 13 që arritën të marrin rezultate në nivelin A.
E humbën gjysmën e punës në vitin 12, pasi u burgosën në shtëpitë e veta. Më parë nuk kishin dhënë kurrë provime publike, pasi nuk i kanë marrë GCSE-të e tyre (certifikatat e përgjithshme e shkollimit të mesëm – v.p.). Shtojani kësaj edhe pasojat emocionale nga Covidi-19: nuk është e lehtë të jesh adoleshent në kohët më të mira, por pandemia ishte koha më e keqe – kur ata ishin të mbyllur, larg miqve dhe marrëdhënieve dhe pa asnjë prej ritualeve të jetës që i bëjnë ata të jenë normalë. Të gjithë e dinim se ata që mezi përballeshin përpara pandemisë, prej saj do të dilnin më keq seç ishin më parë.
Ajo që nuk e dija ishte se sa i përhapur do të ishte shqetësimi dhe se sa do të zgjaste. Gjithashtu, nuk e kisha idenë se sa të vështirë do ta bënte kjo mësimdhënien. “Ka epidemi ankthi te fëmijët e të gjitha moshave, në gjithë vendin. Është edhe më e theksuar nga sa prisja”, thotë Rachel de Souza, Komisionerja për Fëmijë për Anglinë e cila – për efektet e bllokimit – vitin e kaluar anketoi më shumë se gjysmë milioni fëmijë.
Shifrat e fundit të NHS-së (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit – v.p.) për Anglinë tregojnë se numri i të rinjve me “çrregullim të mundshëm mendor” është rritur nga një në nëntë para pandemisë në një në gjashtë sot. Një rekord prej 420 mijë fëmijëve po trajtohen për probleme të shëndetit mendor. Ndërmjet prillit dhe tetorit të vitit të kaluar, pati një rritje prej 77 për qind në numrin e fëmijëve që kishin nevojë për trajtim për kriza të rënda të shëndetit mendor – si mendimet për vetëvrasje, çrregullimet e të ngrënit dhe vetëdëmtimet.
Jap mësim në një shkollë vajzash dhe janë vajzat ato që duket se vuajnë më keq. Sipas Koalicionit për Shëndetin Mendor të Rinisë në Shkolla, gati një e katërta e vajzave të reja në Angli – deri në moshën 17-vjeçare – kanë pasur çrregullim të shëndetit mendor. Gati një e treta e vajzave të moshës 16-18-vjeçare janë vetëdëmtuar.
Sistemi shëndetësor nuk po i përballon kërkesat. Në disa vende, shkollat raportojnë për një listë pritjeje prej më shumë se një viti për t’u parë nga CAMHS-i – Shërbimet e Shëndetit Mendor të Fëmijëve dhe të Adoleshentëve – për nxënësit me simptoma të rënda. Disa drejtorë janë detyruar t’i punësojnë këshilltarët e vet – por edhe nëse mund t’i përballojnë ata, nuk ka sa duhet për të ndihmuar.
“Kur e nisa këtë punë, nuk isha edhe aq i shqetësuar se një fëmijë në këtë shkollë mund të bëjë vetëvrasje”, më thotë shefi i mbrojtjes në një shkollë publike. “Tashti mendoj se kjo edhe mund të ndodhë. Ky rol është i vështirë. Është patate shumë e nxehtë dhe unë po e mbaj atë”.
Shenja e parë dhe më e dukshme se adoleshentët nuk po përshtaten është se po mungojnë – nuk arrijnë të vijnë në shkollë. Janë 25 nxënëse në klasën time të vitit të 13-të, por numri më i madh që u paraqitën në çdo orë mësimi – gjatë gjithë vitit – ishte 22. Ndonjëherë numri shkonte binte në 16.
Ndjekja e dobët e shkollës ka qenë trashëgimia më serioze dhe më e rezistuese arsimore e Covid-it; ka kaluar më shumë se një vit nga përfundimi i izolimit dhe nuk ka asnjë shenjë se do të kthehet në nivelet para pandemisë. Në shkollën time, frekuentimi në përgjithësi është shumë më i mirë se te shumica e shkollave, pjesërisht për shkak të politikës së telefonimit në shtëpi dhe – në rastet ekstreme – të dërgimit të minibusëve për t’i çuar nxënësit nga shtrati. Por, në gjithë Anglinë, shifrat për shkollat e mesme kanë rënë nga rreth 95 për qind më 2019 në më pak se 90 për qind sot. Pjesëmarrja përkeqësohet teksa nxënësit rriten dhe, edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare për vitin 13, zyrtarët thonë se shifra mund të jetë në më pak se 80 për qind.
Qeveria po kruan kokën për të mësuar se çfarë mund të bëhet në nivel kombëtar, por deri tash asgjë nuk ka bërë. Gjatë izolimit u tha nxënëse se shëndeti i tyre është më i rëndësishëm se arsimimi i tyre. Tani duhet ta gjejë mënyrën për ta bërë një zbulim të kundërt dhe për t’u thënë atyre se, në fund të fundit, edukimi vërtetë është i rëndësishëm. Shkolla është zakon. Dhe, për fëmijët që kanë më shumë nevojë për shkollë, ky zakon është thyer. E kisha një bisedë me një vajzë në grupin tim të tutorëve, për rekordin e saj të dobët në pjesëmarrje. “Pse duhet të vijmë në shkollë kur gjatë izolimit e kemi mësuar veten?”, pyeti ajo, me mjaft arsye.
Kur nisin mësimet, shpesh mungojnë nxënëset e dy viteve të fundit; më thonë se nuk mund të fokusohen në punë – për shkak të shëndetit të tyre të dobët mendor. Nuk jam sa duhet e sigurt se çfarë do të bëj për këtë. Nga njëra anë, stigma rreth shëndetit mendor është hequr dhe nuk ka më aq turp për ta diskutuar atë. Por, nga ana tjetër, pandemia në masë të madhe ka përkeqësuar atë që tashmë ishte valë në rritje e vuajtjeve mendore mes fëmijëve – pjesërisht e nxitur nga efekti shkatërrues i të qenit në internet gjatë gjithë ditës dhe gjatë gjysmës së natës. “Përdorimi i pakufizuar i mediave sociale ka qenë si t’ia japësh një shishe vodkë një nëntëvjeçareje dhe t’i thuash: ‘Paç fat’”, thotë Juliette Oakshett, konsulente e shëndetit mendor në një shkollë të njohur private në Londër.
Sido që të jenë shkaqet, shumica e mësuesve janë keq të trajnuar për t’u përballur me shqetësimet në këtë shkallë – në trajnimet e mësuesve nuk ka pothuajse asgjë që mbulon këtë. E vetmja gjë që di është se nëse një nxënëse ashiqare nuk ha ose po e dëmton veten, atëherë duhet ta raportoj menjëherë në shkollë.
Ajo që është më e vështira është të dish se si të përballesh me pjesën tjetër – me grupin shumë më të madh të adoleshentëve që nuk janë sa duhet alarmantë për t’u raportuar, por që duken të nënshtruar ose të shqetësuar dhe që shihet se nuk e bëjnë më të mirën e jetës shkollore. Sipas një studimi të raportuar nga BMJ (British Medical Journal), 29 për qind e nxënësve në Mbretërinë e Bashkuar janë “të lënguar” dhe një ilaç që duket se funksionon mirë me të rriturit – trajnimi i ndërgjegjes për ta jetuar momentin – po del se nuk ndihmon fare në rrethanat e shkollës.
Qasja ime instinktive, me nxënëset e mia, është të vazhdoj pa marrë parasysh rrethanat. Një ditë e dëgjova veten duke i thënë klasës se ankthi është i dobishëm dhe i nevojshëm dhe se, në çdo rast, provimet kanë për qëllim që t’i bëjnë me ankth. Teksa flisja, një ftohje e përshkoi klasën. Ndihesha si ajo gjëja më jotërheqëse: një mohuese e shëndetit mendor.
Shpeshherë nxënëset më thonë se sasia e punës që bëj është e dëmshme për shëndetin e tyre mendor. Kur telefonoj në shtëpi për të shpjeguar se gjashtë orë pune në javë për një lëndë konsiderohen si të nevojshme që nxënësit të kenë sukses të nivelit A, shpesh i dëgjoj prindërit tek ua mbajnë fort anën fëmijëve të vet. Vajza është në ankth, thonë ata. Unë duhet ta thyej qafen. Pas çdo bisede si kjo, pyes veten: a nuk kanë prindërit të drejtë?
Ky ndryshim i qëndrimit të prindërve duket se është tipar i përgjithshëm i botës post-Covid – nuk mund të mbështetemi më tek ata për ta përforcuar mesazhin se puna në shkollë nuk është gjë fakultative. Zëvendësdrejtori i një shkolle në veri të Anglisë më tha: “Dikur prindërit i kishim në anën tonë. Por, ata tani vetëm thonë: ‘Ajo ka kaluar nëpër shumë vështirësi’”. Është e vështirë të mos simpatizosh – fëmijët e tyre kanë kaluar shumëçka. Por, a është kjo arsyeja që ata të mungojnë në shkollë dhe të mos i bëjnë detyrat e shtëpisë?
Nuk është vetëm sasia e punës që bëj ajo që i vë nxënësit në ankth. Janë vetë mësimet. Vitin e kaluar, nxënësve të vitit të shtatë ua mësova të folurit publik, duke këmbëngulur që çdo fëmijë ta bënte një kthesë drejt pjesës së përparme, duke u prezantuar para klase. Një nxënëse e ka marrë këtë si shumë stresuese sa nisi të qajë. Përsëri pyeta veten: a duhet ta kisha nxjerrë jashtë? Në ShBA ekziston një lëvizje e udhëhequr nga nxënësit, për t’i nxjerrë jashtë ligjit prezantimet e detyrueshme para klase, pasi këto i diskriminojnë nxënësit me ankth. Jam shumë e sigurt se kjo është një rrugë katastrofale për t’u ndjekur. Por, edhe shqetësimi i një 11-vjeçareje nuk ndihet se është i duhuri.
E caktova një takim, për ta parë shefen e mbrojtjes në shkollën time, për të diskutuar se çfarë duhet të bëj. Ajo nisi të më tregojë për praktikën mësimore të kuptuar nga trauma, sipas së cilës ju e trajtoni çdo fëmijë sikur ta kishte pësuar ndonjë traumë. Kjo ka shumë kuptim në shkollën time ku – gjatë pandemisë – 50 nga 1500 fëmijët humbën një anëtar të ngushtë të familjes. Por, dua të pyes nëse kjo do të thotë ulje e përgjithshme e pritshmërive dhe nëse kjo mund të mos jetë gjë e mirë. Biseda jonë nuk ishte e gjatë. Për vetëm gjashtë minuta ajo u ndërpre katër herë nga telefonatat për fëmijët e caktuar. Thirrja e fundit kishte të bënte me diçka mjaft të rëndë saqë duhej ta ndërpriste bisedën me mua dhe të shkonte ta zgjidhte problemin.
Shkollat kudo kanë analizuar shqetësimet e nxënësve të tyre dhe pyesin se çfarë duhet të bëjnë. A duhet të jenë të forta apo të buta? Shkolla ku kam dhënë mësim ka qasjen e fortë: pa arsyetime, me pritshmëri të larta dhe me kërkesa të njëtrajtshme për përpikëri dhe detyra aq të pafalshme të shtëpisë saqë nxënësit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i zbatojnë ato. Shkolla ime aktuale ka një qasje më të butë, më të nuancuar, të bazuar në mirëqenien e nxënësve të caktuar. Cila është më mirë? Dhe, si do ta dinim këtë?
Është e vështirë, thotë Katharine Vincent, drejtoreshë e “Reconnect London” – organizatë e krijuar për t’i shtyrë udhëheqësit e shkollave të kryeqytetit që të flasin me njëri-tjetrin për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që prekin të gjithë ata. “Nga njëra anë ka nevojë për përgatitjen e nxënësve për provime ndërsa, nga ana tjetër, nuk duam të kontribuojmë në kushtet ekzistuese të shëndetit mendor. Nuk është veprim i lehtë balancues, veçanërisht duke pasur parasysh se sa të pakta tashmë janë burimet e shkollave”.
Gjatë një dite në shkollë, në grupin tim po jepja një mësim për PSHE-në (edukim personal, social, shëndetësor dhe ekonomik) për shëndetin mendor. Kjo është diçka që bëjnë të gjitha shkollat dhe i shërben një qëllimi të rëndësishëm: pakëson stigmën e shëndetit mendor edhe nxënësit që nuk janë mirë i bën të ndihen më pak të vetmuar.
Gjatë mësimit, teksa nxënëset një pas një thanë se kanë ankth, nisa të ndihem e shqetësuar. Heqja e tabusë mund të jetë e mrekullueshme, por gjithë kjo vetëdiagnozë më duket e gabuar. Kam frikë se efekti i mësimit tim thjesht po i shtohet informacionit që ata tashmë kishin mbledhur nga TikTok-i. Nëse shkruani “ankth” në platformë, videoja e parë që shfaqet tregon një vajzë tërheqëse adoleshente duke thënë se kafshimi i thonjve dhe humbja e përqendrimit janë shenjat se keni ankth. Më shumë se nëntë milionë njerëz e kanë parë atë.
“Këtu janë dy çështje që tmerrësisht janë ngatërruar me njëra-tjetrën”, thotë Peter Fonagy, shefi ekzekutiv i Qendrës “Anna Freud” që ofron trajtim, trajnim dhe kërkime për sëmundjet mendore të fëmijëve. “Ka nxënës me sëmundje mendore që kanë nevojë për ndihmë. Dhe, ka nxënës që e kalojnë keq kohën, nuk përshtaten mirë dhe që veten e kanë diagnostikuar se nuk janë mirë”.
Vetëdiagnoza e tillë po i bën fëmijët më të shqetësuar dhe më të pakënaqur sesa ishin deri tash, thotë ai. Për më keq, shmangia e gjësë për të cilën ata janë në ankth (shkolla dhe provimet) është mënyra më e sigurt për ta përkeqësuar edhe më shumë ankthin.
“Kemi nevojë për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut. Por, kjo duhet të shoqërohet me mirëkuptim – që aktualisht është shumë i ultë. Ajo që kemi nuk është epidemi e çrregullimit mendor”.
Ai mendon se shkaku më i madh i rritjes së numrit të fëmijëve me sëmundje të mundshme mendore vjen nga ndryshimi në interpretim. Mjekët bëjnë të njëjtat pyetje, por pacientët të cilët janë më të vetëdijshëm për shëndetin mendor, japin përgjigje të ndryshme. Kjo nuk ka qenë krejtësisht pozitive. “Ankthi, humori i ulët dhe pakënaqësia nuk janë sëmundje. Janë pjesë e jetës. Nxënësit kanë vështirësi dhe kanë nevojë për mënyra më të mira për t’i përballuar ato, por nuk kanë ndonjë problem mjekësor. Ata që nuk janë mirë duhet të shkojnë me këshillim, por këshillimi do t’i bëjë të tjerët më keq”.
Sipas tij, nuk është roli im si arsimtare që të përpiqem ta luaj psikiatren te nxënëset e mia. “Kjo është puna ime”, thotë ai. Sigurisht që nuk është detyra ime të jem më e butë me nxënëset me ankth. Në vend të kësaj, është roli im të veproj në një klasë të parashikueshme, të drejtuar mirë e me kufij të qartë.
Them se është e vështirë ta bësh këtë kur nxënëset qartësisht janë në gjendje të mjerë dhe më thonë se kanë ankth. Çfarë duhet të bëj – t’i injoroj? Po sikur të dalë se seriozisht nuk janë mirë dhe se vazhdojnë ta dëmtojnë veten? Ai pranon se nuk është lehtë të jesh në këtë pozicion.
“Mësuesit kritikohen”, më thotë ai. “Je e mallkuar nëse e bën dhe e mallkuar nëse nuk e bën”.
Pavarësisht kësaj, jam qetësuar nga biseda jonë e mirë. Vendosa t’i caktoj kufijtë e qartë, t’i dëgjoj nxënëset e mia dhe t’i mbështes teksa mundohen të ballafaqohen me rrethanat.
Megjithatë, në të njëjtën kohë dyshoj se ka diçka tjetër që po ndodh te këta adoleshentë që po shton nivelet e tyre të ankthit, gjë që nuk ka të bëjë as me vetëdiagnozën, as me koronavirusin. Sistemi i provimeve publike në Mbretërinë e Bashkuar është krijuar për t’i bërë sa më të shqetësuar ata.
45 vjet më parë i kam kryer nivelet e mia A, kur ndaj meje nuk kishte asnjë presion – nga prindërit, nga shkolla apo nga miqtë që mburren në rrjetet sociale. Por, gjithsesi më dukej aq stresuese saqë për tri dekada, pas kësaj, zgjohesha rregullisht në orën tre të mëngjesit e mbytur në djersë nga një makth në të cilën kisha harruar ta rishikoja fizikën e nivelit A, të cilin në realitet as nuk e kisha.
Është shumë më keq për këta adoleshentë, sepse presioni është përforcuar: si shkollat ashtu edhe arsimtarët e caktuar gjykohen prej notave që marrin nxënësit. Teksa e ndëshkoj klasën time të nivelit A se nuk po punon mjaftueshëm, a po mendoj thjesht për ta apo po përpiqem të dukem më mirë meqë rezultatet e tyre do të jenë gjithashtu të miat?
Nëse detyra e një mësuesi është të ndihmojë nxënësit t’i kalojnë provimet dhe ta marrin guximin për t’i përballuar gjërat e vështira që ua hedh jeta – në këtë të fundit, pra, unë kam dështuar. Isha aq e zënë duke u thënë se provimet kishin rëndësi, për t’i joshur që të bënin ndonjë punë, sa harrova t’ua mësoja një gjë po aq të rëndësishme: si të përballen me zhgënjimin. Në ditën e rezultateve, shpresoj shumë që nxënëset e mia të mos kenë shumë nevojë për këtë aftësi jetësore. /Telegrafi/