Brightoni kundër rifillimit të sezonit
Drejtori ekzekutiv i Brightonit, Paul Barber, e ka theksuar vendimin e tij për ta kundërshtuar planin e Premierligës për rinisjen e sezonit, duke thënë se nuk dëshiron që ndeshjet të zhvillohen në stadiume neutrale.
Premierliga ka qenë e suspenduar që nga 13 marsi shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, që ka shkaktuar edhe ndërprerjen e seancave stërvitore dhe aktiviteteve të tjera sportive.
Megjithatë, ngjashëm me vendet e tjera evropiane, edhe Anglia tani është duke punuar në “Projektin e Rinisjes” – duke mbajtur negociata mes Federatës së Futbollit, Ligave, Shoqatës së Futbollistëve e të Trajnerëve, si dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse.
Njëra ndër propozimet e dala nga këto negociata ka qenë që ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit 2019/20 të zhvillohen në stadiume neutrale, përderisa një votim për këtë dhe propozimet e tjera do të mbahet të hënën.
Përderisa të gjitha 20 klubet e Premierligës janë shprehura të gatshme t’i zhvillojnë 92 ndeshjet e mbetura kur të jetë e sigurt të rinisë sezoni, jo të gjitha ato janë të gatshme të luajnë në stadiume neutrale.
Tani që është vendosur që Bundesliga të rinisë më 16 maj me ndeshjet që do të zhvillohet në stadiumet e ekipeve vendase, Barber beson se Premierliga duhet ta ndjekë shembullin gjerman.
“Gjermanët po arrijnë ta rinisin sezonin duke luajtur në stadiumet vendase. A jemi aq të shqetësuar për situatën tonë që s’kemi mundësi ta bëjmë edhe ne të njëjtën gjë?”, ka thënë Barber.
“Nëse Gjermania mundet, pse nuk mundemi ne? Ne i kemi disa nga stadiumet më të mira në botë, disa nga klubet më së miri të qeverisura në botë, njëra ndër ligat më të mira në botë me administratorë të mrekullueshëm”.
“Pse s’mund të arrijmë ta bëjmë këtë në vendin tonë dhe ta përfundojmë sezonin ashtu si e nisëm? Nga pikëpamja jonë, ne duhet ta kuptojmë madje edhe pse u propozuan stadiumet neutrale. Pse është më e sigurt të luhet në stadiume neutrale sesa në stadiumet tona”.
Premierliga dhe autoritetet e tjera qeverisëse të futbollit shqetësohen se tifozët mund të grumbullohen jashtë stadiumeve për ta shfaqur përkrahjen për ekipet e tyre, siç kishte ndodhur gjatë ndeshjes së Paris Saint-Germainit kundër Borussia Dortmundit.