Britani, Starmer i jep fund skemës së dëbimit të emigrantëve në Ruandë
Kryeministri i sapozgjedhur i Mbretësirë së Bashkuar Keir Starmer konfirmoi të shtunën se qeveria e tij e nuk do të zbatonte politikën e paraardhësit për të dëbuar në Ruandë azilkërkuesit, që mbërrijnë në vend me varka të vogla, duke i dhënë kështu fund skemës përpara se ajo të niste të zbatohej.
Partia e zoti Starmer ajo Laburiste fitoi thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes duke i dhënë fund 14 viteve të qeverisjes shpesh të trazuar të konservatorëve.
Në një konferencë për shtyp të shtunën zoti Starmer tha se “skema e Ruandës ishte e vdekur përpara se të fillonte dhe se ajo nuk i ndalonte flukset emigratorë”.
Ai shtoi se qeveria e tij nuk ishte e përgatitur të vazhdonte me ato që ai i quajti truke, e që nuk shërbejnë për të ndaluar problemin.
Vitet e fundit në Britani kanë mbërritur me dhjetëra mijëra emigrantë nga Azia, Lindjen e Mesme dhe Afrika, shumë prej të cilëve largohen për shkak të luftrave e varfërisë.