Britania dhe Rusia shkëmbejnë akuza për helmimin e ish-spiunit rus
Britania e Madhe ka vazhduar akuzat ndaj Qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin për helmimin e ish-spiunit rus në Britani, duke thënë se përgjegjësia për sulmin me agjent nervor “shkon deri tek ata që janë në krye” të shtetit të Rusisë.
Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka folur sot, vetëm pak kohë pasi Rusia sërish ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në këtë incident, duke thënë se Britania ose Shtetet e Bashkuara mund të jenë fajtore për sulmin ndaj ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.
Johnsoni ka thënë se përgjegjësia shpie “te shteti i Rusisë dhe atyre që janë në krye të tij”.
Ai ka thënë se koha e sulmit duket se ka lidhje me “zgjedhjet në Rusi”, ku Vladimir Putin fitoi edhe një mandat gjashtëvjeçar.
Johnsoni ka thënë se beson që Rusia, përmes sulmit me agjent nervor, ka dërguar mesazh tek dezertorët e tjerë potencialë dhe kanë zgjedhur Britaninë, sepse sipas tij, Londra ka një histori të publikimit të abuzimeve që bën Moska.
“Britania ka qenë më e hapura dhe më kokëforta në mbajtjen e vlerave tona”, ka thënë ai.
“Mendoj se për këtë arsye ndoshta ata kanë vendosur që ky gjest të bëhet në këtë vend”, ka thënë Johnsoni.
Në Moskë, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme ruse u kanë thënë diplomatëve të huaj se “logjika sugjeron se janë vetëm dy mundësi” se Britania ka dështuar ta shmangte sulmin ose është përgjegjëse.
Zyrtari i Ministrisë së Jashtme ruse, Vladimir Yermakov madje ka drejtuar gishtin ndaj Shteteve të Bashkuara, duke thënë se “kjo mund të jetë e orkestruar edhe prej më larg. Nuk është sekret se partneri kryesor i Britanisë është shteti i vetëm që zyrtarisht ka arsenalin më të madh të armëve kimike në botë”.
Rusia pretendon se ka shkatërruar të gjithë arsenalin e armëve kimike, edhe pse zyrtarët perëndimor kanë kundërshtuar një pretendim të tillë.