![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/05/AF5B5AFC-BA52-4D9B-B3CC-7A98B3AFF9AE.jpeg)
Britania do të mbështesë shtetet që do të furnizojnë Ukrainën me avionë sovjetikë
Nuk ka më dyshime: Britania e Madhe do të mbështesë çdo vend, i cili do të marrë përsipër t’i dhurojë Ukrainës avionë sovjetikë, në përpjekjen për të rezistuar ndaj agresorëve rusë.
Lajmin e ka konfirmuar vetë sekretari për Mbrojtjen, Ben Wallace, theksoi se britanikët janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë, edhe pse asnjë vend tjetër nuk ka arritur ta marrë si vendim të mëparshëm.
Zëra të tillë qarkullonin edhe më parë, kur u pretendua se Polonia do t’i dhuronte Ukrainës avionët e saj të vjetër sovjetikë MiG. Asokohe, SHBA-të i dolën në krah këtij vendimi, duke thënë se ishin të gatshëm të furnizonin Poloninë si anëtare e NATO-s, me avionë luftarakë amerikanë F-16, për të zëvendësuar MiG-ët.
Por më pas, gjithçka u përgënjeshtrua dhe Amerika nuk e mbështeti më diçka të tillë, për shkak të tensioneve që u krijuan dhe acarimit të retorikës politike së Moskës.
Ndërsa, Wallace, shtoi se Londra ka qenë mbështetëse e këtij projekti dhe se vijon të jetë e tillë.
Nga pala polake ende nuk ka një qasje të qartë mbi çështjen, pasi deklarata e shefit britanik të Mbrojtjes erdhi tejet e papritur.
Vendet më të mundshme, të cilat mund ta ndihmojnë Ukrainën, janë Polonia, Sllovakia dhe Bullgaria. Të tre këto vende, zotërojnë avionë luftarakë MiG-29.
Në një rast hipotetik kur këto shtete mund t’ia dhurojnë Ukrainës avionët, Britania mund t’i zëvendësojë ata me avionë luftarakë të tipit Typhoon.
Megjithatë, është ende herët për të parë nëse do të ketë vërtetë një shkëmbim të tillë.