Britania e Madhe vazhdon përkrahjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe financave.
Ministri Hamza duke falënderuar ambasadorin O’Connell për vizitën dhe bashkëpunimin, ai ka shfrytëzuar rastin për ta falënderuar popullin dhe shtetin britanik për kontributin dhe përkrahjen e vazhdueshëm që i ka dhënë Republikës së Kosovës, e në veçanti Ministrisë së Financave në zhvillimin ekonomik dhe financiar të shtetit.
Ai më tej e ka njoftuar ambasadorin O’Connell për objektivat dhe aktivitetet e Ministrisë së Financave, sidomos me reformat në politikat fiskale, me qëllim të krijimit të një klime më të favorshme të të bërit biznes, si dhe krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja në vend.
Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, duke falënderuar Ministrin Hamza për mikpritjen, ai ka shprehur gatishmërinë e Britanisë së Madhe për të vazhduar përkrahjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës.