Britania i akuzon spiunët rusë për sulme kibernetike
Britania ka akuzuar inteligjencën ushtarake ruse për një mori sulmesh kibernetike, me qëllim dëmtimin e institucioneve të rëndësishme perëndimore.
Një raport për sigurinë kombëtare të Britanisë ka konstatuar se Agjencia e Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU) është “agresore shkatërruese kibernetike”, që përdor një rrjet hakerësh për të përhapur mosmarrëveshje dhe konfuzion në gjithë botën.
GRU, thuhet në raport, qëndron me siguri pas sulmit me softuerin “BadRabbit”, vitin e kaluar, ndaj një aeroporti ndërkombëtar të Ukrainës, si dhe pas piraterimit të Agjencisë Botërore Anti-Doping në Zvicër.
Raporti i Qeverisë britanike po ashtu konstatoi se GRU qëndron pas piraterimit të emaileve të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate në SHBA, që dëmtuan kandidaten për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton. Kjo e fundit u mund nga republikani Donald Trump, në zgjedhjet e vitit 2016.
“Veprimet e agjencisë GRU janë të pamatura: ato përpiqen të minojnë dhe të ndërhyjnë në zgjedhje, duke sulmuar në mënyrë të qartë demokracinë perëndimore”, ka deklaruar sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, duke shtuar se do t`i përgjigjen këtyre veprimeve. “Mesazhi ynë është i qartë: së bashku me aleatët tanë, do t’i ekspozojmë dhe do t’iu përgjigjemi përpjekjeve të GRU-së për të minuar stabilitetin ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Sipas raportit britanik GRU është e lidhur me një mori hakerësh të përfshirë në sulme të profilit të lartë dhe të njohur me emra të tillë si APT 28, Fancy Bear, Sofacy, Storm pengu, Sednit, CyberCaliphate, Cyber Berkut, Voodoo Bear dhe BlackEnergy Actors./rel/