Britania i lejon ‘Huawei’-t rol të kufizuar në rrjetin 5G
Britania e Madhe ka vendosur të lejojë kompaninë kineze “Huawei”, të vazhdojë operimin në rrjetin 5G, por me kufizime, pavarësisht presionit nga ShBA-ja për të ndalur bashkëpunimin me këtë kompani.
Kompania kineze do të ndalohet të bëjë furnizimin me “pjesë të ndjeshme” të rrjetit, si dhe do të përjashtohet nga zonat afër bazave ushtarake dhe vendeve bërthamor, vendosi qeveria britanike.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ishte përballur me presion nga Shtetet e Bashkuara, dhe disa deputetë konservatorë, për të bllokuar gjigantin e teknologjisë kineze për shkak të sigurisë kombëtare.
Por, Pekini e kishte paralajmëruar Britaninë se mund të ketë pasoja “thelbësore” në planet tjera të tregtisë dhe investimeve, nëse kompania do të ndalohej plotësisht.
Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur kompaninë kineze si rrezik të sigurisë kombëtare si dhe iu kanë bërë thirrje vendeve aleate të ndërpresin bashkëpunimin në fushën e rrjetit 5G.
Uashingtoni dyshon se kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze dhe se të dhënat e përdoruesve të saj nuk janë të sigurta.
Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të mençur me internet dhe ofron shpejtësi të shkarkimin shumëfish më të shpejt sesa ekziston aktualisht.
“Huawei” me qendër në Kinë, i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Uashingtonit.