Britania i ofron ndihmë Iranit në lirimin e cisternës së naftës
Britania i ka ofruar Iranit ndihmë për t’i dhënë fund krizës mbi një cisternë të naftës, të kapur në Gjibraltar, duke thënë se do “ta lehtësojë lirimin” e cisternës “Grace 1”, nëse Teherani ofron garanca se anija nuk do të udhëtojë për në Siri – që do të përbënte shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt ia ka bërë këtë ofertë homologu të tij iranian, Mohammad Javad Zarif, gjatë një bisede telefonike më 13 korrik.
“E risigurova atë se shqetësimi ynë është destinacioni dhe jo origjina e ‘Grace 1’ dhe Britania do ta lehtësonte lirimin e cisternës, nëse marrim garancione se (cisterna) nuk do të shkojë në Siri, pas procedurave gjyqësore në Gjibraltar”, ka shkruar Hunt në llogarinë e vet në “Twitter”, raporton “Rel”.
Irani ka konfirmuar bisedën ndërmjet Hunt dhe Zarif, por nuk ka treguar nëse Teherani ka garantuar se nëse lirohet cisterna, nuk do të niset drejt Sirisë.
Marina Mbretërore Britanike më 4 korrik e ka marrë cisternën nga brigjet e Gjibraltarit, një territor britanik dhe e ka konfiskuar nën dyshimin se po shkelte sanksionet për naftë të BE-së.
Teherani ka paralajmëruar për masa reciproke nëse cisterna nuk lirohet dhe kreu i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, kërcënoi më 5 korrik se do të kapë një anije britanike.
Britania ka konfirmuar se një anije e saj ishte tentuar që të kapet në Ngushticën e Hormuzit, por Irani ka mohuar se është i përfshirë në këtë incident.