Britania ia sheh sherrin Brexit-it, eksporti në BE i bie për 5.6 miliardë veç në janar

12 mars 2021 | 11:33

Eksportimi i mallrave britanike në Bashkimin Evropian shënoi rënie për 40.7 për qind në muajin janar, që ishte muaji i parë nga Brexit-i, duke e shkaktuar rënien më të madhe në tregti në më shumë se 20 vjet.

Në muajin e parë pas marrëveshjes për largimin nga Bashkimi Evropian sipas kushteve me të cilat është pajtuar qeveria e kryeministrit Boris Johnson, Zyra për Statistika Kombëtare tha se eksportimi i mallrave drejt BE-së ra për 5.6 miliardë funte, ndërsa importet ranë për 6.6 miliardë funte ose 28.8 për qind.

Pas pengesave për transportimin e mallrave në kufi, rënia erdhi gjithashtu në kohën kur ekonomia u tkurr më së shumti në janar që nga vala e parë e pandemisë. GDP-ja në këtë periudhë shënoi rënie për 2.9 për qind në krahasim me dhjetorin, shkruan The Guardian, transmeton “Gazeta Express”.

Ndonëse rënia e GDP-së në janar e paraqet uljen më të madhe ekonomike që nga izolimi i parë para gati një viti, analistët kishin parashikuar rënie më të madhe prej 4.9 për qind, duke lënë të kuptohet se bizneset u janë përshtatur më mirë masave të rrepta kufizuese në krahasim me valën e parë.

Ekspertët thanë se shkalla e rënies së eksporteve në janar ka pak gjasa që të jetë e përhershme, sepse ka dëshmi që kompanitë kanë siguruar rezerva para afatit të fundit për Brexit-in, duke nënkuptuar që ato nuk kanë pasur nevojë të dërgojnë shumë dërgesa në janar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tefta Cami Edhe 100 vite të tjera jetë e gëzime…