Britania mbështet sanksionet kundër grupit të Veselinoviqit, thotë se kjo është në interes të Kosovës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka deklaruar se përkrah vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të vendosur sanksione ndaj individëve që kanë lidhje me grupin e Zvonko Veselinoviqt në veri të Kosovës.
Ambasadori Abbott ka thënë se ky veprim është në interes për të gjithë komunitetet në Kosovë.
“Mirëpres vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka shkruar Abbott në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se shkëputja e lidhjeve të krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore.
“Shkëputja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore, nëse duam të krijojmë mundësinë për politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interes të të gjithë atyre që përfaqësojnë, dhe jo vetëm për vetën e tyre”, ka shkruar ai.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit, përveç Veselinoviqit janë edhe i vëllai i tij Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.