Britania mbështet të ardhmen e Kosovës në NATO
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Giles Portman, drejtor për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit të Britanisë së Madhe, i cili e ka përgëzuar për detyrën.
Ai ka vënë në spikamë se zhvillimet e fundit politike në vend paraqesin një kthesë për zhvillime të reja.
Ndërsa presidentja Osmani, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen historike të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës që nga periudha e luftës, duke përfshirë angazhimin në kuadër të NATO-s, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që nga shpallja e pavarësisë.
Në këtë drejtim, ajo ka thënë se Britania e Madhe mbetet një prej partnerëve dhe aleatëve më strategjik për vendin tonë.
Më tutje, Osmani ka theksuar se institucionet e vendit janë të gatshme të angazhohen në hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe dhe fuqizimin e atyre ekzistues, derisa ka vënë theks të veçantë tek fusha e sundimit të ligjit, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimeve tregtare, arsimit, si dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e agjendës së gjelbër.
Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim, teksa Portmani ka thënë se Britania është mbështetëse e plotë e të ardhmes së Republikës së Kosovës në NATO, gjë që sipas tij do të kontribuojë në stabilitet dhe siguri në rajon dhe përtej.
Ai ka shprehur mbështetjen e Britanisë së Madhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në veçanti, presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për ndihmën dhe angazhimin e Britanisë së Madhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur më dhunë në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se zbardhja e fatit të tyre dhe vendosja e drejtësisë janë parakusht për paqe të qëndrueshme dhe sukses në procesin e dialogut.
Të dy palët janë dakorduar për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat do të ndihmojnë avancimin e raporteve të ndërsjella.