Britania mbështet trajtimin e viktimave të dhunës seksuale
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, është takuar me baroneshën britanike, Arminka Heliq, njëherësh anëtare e Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe, me të cilën ka diskutuar për veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës sa i përket viktimave të dhunës seksuale në konfliktin e fundit në Kosovë.
Ministri Reçica e ka njoftuar baroneshën Heliq në detaje për gjithë procesin e trajtimit të kësaj kategorie, deri në fillimin e njohjes dhe verifikimit të statusit të kësaj kategorie që zyrtarisht ka nisur më 5 shkurt të këtij viti.
Po ashtu, ai e ka njoftuar Heliqin rreth numrit të aplikacioneve të pranuara dhe atyre të trajtuara për këtë kategori.
Reçica ka theksuar se përtej kësaj, viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë do të vazhdojnë të gëzojnë trajtim meritor duke u ofruar atyre qasje të lehtë në të gjitha shërbimet, sigurim e shërbime shëndetësore të mirëfillta, përparësi në punësim dhe aftësim profesional, arsimim kualitativ, rehabilitim, etj.
Ndërsa baronesha Arminka Heliq e ka përgëzuar ministrin Reçica për përkushtimin e tij për të trajtuar dinjitetshëm viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.
Ajo ka thënë se Kosova ka bërë hapa para në këtë drejtim duke u shndërruar në lider në rajon sa i përket trajtimit të duhur të kësaj kategorie dhe ofroi mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe për të bashkëpunuar.
/Epoka e re/