Britania miraton vaksinën kundër Covid-19 të kompanisë Moderna
Rregullatori shëndetësor në Mbretëri të Bashkuar të premten miratoi për përdorim vaksinën kundër kornavirusit të kompanisë Moderna, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.
Ministria britanike e Shëndetësisë tha se tashmë janë pajtuar me këtë kompani amerikane që të blejnë edhe dhjetë milionë doza shtesë të vaksinës dhe pret që në pranverë të nisin vaksinimet me vaksinën e Modernas.
Me miratimin e vaksinës së kompanisë Moderna, në Britani tashmë janë tri vaksina të miratuara, ajo e kompanive Pfizer/BioNTech si dhe e Universitetit të Oxfordit dhe Astrazenecas, që tashmë kanë nisur të administrohen.
Në total, Britania ka siguruar 17 milionë doza të kompanisë Moderna dhe dozat e para pritet të vijnë në pranverë.
“Ne tashmë kemi vaksinuar pothuajse 1.5 milion qytetarë në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe vaksina e Modernas do të na mundësojnë që ta përshpejtojmë fushatën tonë të vaksinimit edhe më shumë, kur të na arrijnë dozat e para në pranverë”, tha ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.
Vaksina e kompanisë Moderna thuhet se është 94 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Kjo vaksinë tashmë është miratuar për përdorim nga rregullatorët në Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Bashkimit Evropian.