Britania në karantinë, masa drastike në të gjithë vendin
Edhe Britania nis izolimin total. Kryeministri Boris Johnson vendosi që të mbyllen të gjitha dyqanet që nuk shesin të mira thelbësore, parqet dhe kishat në Britani, duke i këshilluar britanikët që të mos dalin nga shtëpia.
Gjithashtu, në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit, nuk do të lejohen grupet me më shumë se dy persona.
“Edhe pse shumica i keni respektuar udhëzimet tona, ka ardhur koha që të marrim masa të tjera. Nga sot, ju jap vetëm një udhëzim: qëndroni në shtëpi”, u shpreh kryeministri i Britanisë.
“Njerëzit duhet të dalin nga shtëpia vetëm për blerjet e domosdoshme, ndihmë mjekësore ose për në punë, nëse është absolutisht e pamundur puna nga shtëpia”, tha Johnson.
Policia, sipas Johnson, ka autorizimin që të gjobisë këdo që e shkel karantinën.