
Britania njofton 580 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën
Britania e Madhe ka njoftuar të premten se Ukrainës do t’i ndahen 580 milionë dollarë ndihmë ushtarake, në prag të samitit të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.
Britania ka thënë se, në bashkëpunim me Norvegjinë, 580 milionë dollarë do të shpenzohen për ta ndihmuar Kievin me qindra mijëra dronë luftarakë, sisteme të radarëve dhe mina antitanke, si dhe për kontrata për riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara të Ukrainës.
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey dhe ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, do ta udhëheqin bashkërisht samitin e 27-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të premten.
Në prag të takimit në Bruksel, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, ka thënë se çështje me rëndësi është forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit të tij.
“Ukraina ka nevojë për një numër të mjaftueshëm sistemesh moderne si ato të tipit ‘Patriot’. Nevojitet një vendim politik për furnizimin e këtyre sistemeve, me qëllim mbrojtjen e qyteteve, fshatrave dhe jetës së njerëzve tanë – veçanërisht nga kërcënimi i armëve balistike të Rusisë. Partnerët tanë kanë sisteme të tilla në dispozicion”, ka thënë Umerov.
Forcat ruse e kanë përparësinë në luftën në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt.
Zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë besojnë se Rusia po përgatitet ta nisë një ofensivë të re ushtarake në javët në vijim, për ta rritur trysninë dhe për t’i forcuar pozitat e Kremlinit në bisedimet për armëpushim.
Takimet e Grupit të Kontaktit për Ukrainën janë kryesuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes deri në çastin kur Donald Trump e mori detyrën si president në janar.
Prej atëherë, Healey e ka marrë përsipër këtë detyrë, duke kryesuar takimin e tij të parë në shkurt.
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë se paketa e re dhe “e madhe” e mbështetjes ushtarake do të dorëzohet nga furnizues britanikë dhe ukrainas për të ndihmuar në përforcimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës në luftën e tyre për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.